Topi mbledh krerët e tre vendeve në Shkodër
Presidentët e tre shteteve do të mblidhen së bashku në qytetin e Shkodrës. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, do të presë në një vizitë zyrtare Presidentin kroat, Stipe Mesiç, dhe Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Takimi do të bëhet në Muzeun e Shkodrës. Më pas do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Shkak i këtij takimi është bërë vizita e Presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiç, në vendin tonë, i cili do të vizitojë sot Tiranën. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare, sipas të cilave Presidenti kroat do të takohet me autoritetet më të larta të vendit tonë. Gjatë takimeve pritet të rikonfirmohen marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët. Në bazë të axhendës të bërë publike nga zyra e shtypit të Presidentit, bëhet e ditur se vizita do të shoqërohet me takime intensive gjatë dy ditëve të qëndrimit të Presidentit Mesiç në Shqipëri. Mbërritja e delegacionit kroat në Aeroportin e Rinasit "Nënë Tereza", ku do të ketë edhe një ceremoni pritjeje, do të jetë në orën 09:30 minuta. Një orë më pas do të zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes së Presidentit Mesiç në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Nga ora 10:40 deri më 11:00 do të zhvillohet një takim tetë a tetë mes dy presidentëve. Nga ora 11:00 deri më 12:00 do të zhvillohen bisedimet zyrtare të presidentëve me dy delegacionet shoqëruese. Rreth orës 12:00 deri më 12:30 do të mbahet një konferencë e përbashkët shtypi në Pallatin e Brigadave. Në orën 12:35, Presidenti kroat do të vendosë një kurorë me lule në Varrezat e Dëshmorëve. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, dhe komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Në orën 12:50 do të bëhet nisja drejt Hotel Tiranës ku Presidenti Mesiç do të shoqërohet në makinë nga sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Flloko. Nga ora 13:00 deri më 13:50, në ambientet e Hotel Tiranës do të zhvillohet takimi i dy presidentëve me Komitetin e Biznesit Shqiptaro-Kroat. Pas këtij takimi, nga ora 14:30 deri më 16:00, Kryeministri do të shtrojë një drekë pune me Presidentin Mesiç. Nga ora 17:30 deri më 18:10, Presidenti Mesiç do të pritet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në zyrën e tij. Nga ora 18:15 deri më 18:45 Mesiç do të takojë kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Më pas, nga ora 18:45 deri më 19:10, Presidenti Mesiç do të përshëndesë Kuvendin shqiptar. Vizita e Presidentit kroat në vendin tonë do të vazhdojë edhe ditën e martë. Nga ora 10:30 deri më 11:00, Presidenti Mesiç do të vizitojë zonën e Bushatit, në të cilën po realizohet aktualisht një projekt i përbashkët shqiptaro-kroat. Atje, kreu i shtetit kroat do të pritet nga Neritan Alibali, zv/ministër i Ekonomisë dhe Industrisë, si dhe nga Gjergj Bojaxhi, drejtor i KESH-it. Ndërsa nga ora 11:15 deri më 11:30, Presidenti do të zhvillojë një vizitë në Bashkinë e Shkodrës, ku do të takohet me kryetarin e bashkisë së saj.
Aktiviteti politik
Kush është Stipe Mesiç
Stipe Mesiç është President i Republikës së Kroacisë që prej vitit 2000. Më parë ai ka mbajtur postin e Kryeministrit të Kroacisë, ka qenë Presidenti i fundit i Federatës Socialiste Jugosllave dhe po ashtu kryetar i Parlamentit kroat.
Mesiç lindi më 24 dhjetor të vitit 1934 në Orahovicë. Ai hyri në skenën politike si anëtar i Parlamentit në Republikën Socialiste të Kroacisë në vitet 1960 dhe mungoi më pas në skenën politike deri në fillim të viteve 1990, kur hyri në lëvizjen e Unionit Demokrat Kroat HDZ, (që më vonë u kthye në parti). Pas zgjedhjeve të para të lira dhe pluraliste, ai u zgjodh Kryeministri i parë i Republikës së Kroacisë, nga muaji maj i 1990-s deri në gusht të këtij viti, dhe sipas një rezolute të Parlamentit kroat u bë anëtari kroat i Presidencës së Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, (gusht 1990 - maj 1991). Ai qëndroi në krye të Presidencës së Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë deri në dhjetor 1991. Në vitin 1992 u zgjodh kryetar i Parlamentit të Republikës së Kroacisë në shtetin e pavarur kroat. Qëndroi në këtë detyrë deri në 1994-n, kur u hoq pasi u largua nga HDZ-ja dhe themeloi një parti të re politike, Demokratët e Pavarur Kroatë (HND) - për shkak të pakënaqësisë së tij me krejt politikën e HDZ-së kundrejt Bosnjë-Hercegovinës. Në 1997-n, pas një ndarjeje në partinë HND, me shumicën e anëtarëve të HND-së hyri në Partinë e Popullit Kroat (HNS) dhe mori postin e zëvendëskryetarit ekzekutiv të HNS-së. Më 7 shkurt 2000 ai u zgjodh President i Republikës së Kroacisë dhe për pasojë u largua nga partia, pasi donte të ishte President i të gjithë qytetarëve kroatë. Më 16 janar 2005 rizgjidhet President i Republikës së Kroacisë.