E Martë, 3 Nëntor 2026

Konstituohet Këshilli Drejtues i RTSH, Petrit Beci zgjidhet nënkryetar

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Këshilli i ri Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar zhvilloi dje mbledhjen e parë ku edhe u konstitua ky këshill, pas votimit të anëtarëve në seancën plenare të 17 marsit.

Në mbledhje e drejtuar nga kryetari i zgjedhur nga parlamenti, Fatjon Hoxhalli, u ra dakord për të gjitha pikat e rendit të ditës.

Fillimisht Këshilli Drejtues u njoh me aktet e parlamentit për mandatin e gjithsecilit dhe më pas u votua për nënkryetarin, që u zgjodh  Petrit Beci me 10 vota pro.

Një pikë e rëndësishme e mbledhjes së parë ishte diskutimi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës, që mbahet në datat 13–17 maj në Bazel të Zvicrës.

Për shkak të afateve të përcaktuara nga organizatorët e Eurosong, anëtarët u dakordësuan që të thërrasin një mbledhje tjetër brenda kësaj jave për të vijuar me procedurat e nevojshme.

Shqipëria do të përfaqësohet nga grupi “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, me të cilën fituan edhe Festivalin 63 të Këngës në RTSH.

Në këtë mbledhje të parë, Këshilli Drejtues propozoi edhe ngritjen e një grupi pune për hartimin e një procedure të standardizuar për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm sipas përcaktimit ligjor të Statutit të RTSH.

/k.s//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›