Konsulenti boshnjak i Berishes, nën akuzë
Sarajevë - Prokuroria kantonale e Sarajevës po zhvillon dy hetime kundër Damir Fazlliç, pronarit të firmës "European Finance" dhe konsulentit financiar, me dyshimin për mashtrime financiare dhe shpërdorim. Këtë e ka konfirmuar Branko Shlivar, kryeprokurori kantonal.
"E kemi në përpunim lëndën që ka të bëjë me Damir Fazlliç, ndërkaq bëhet fjalë për rastet e firmës "AC European Finance" dhe "Capital Investment Menagment Corporation". Duke pasur parasysh se në rastin e këtyre firmave bëhet fjalë për firma fiktive, hetimet i kemi hapur kundër dy personave fizikë, përkatësisht shtetas të Bosnjës dhe shtetasve të Britanisë së Madhe, për shkak të veprës penale të mashtrimit", - thuhet në deklaratën me shkrim të kryeprokurorit kantonal.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimeve, Damir Fazlliç në emër të "European Finance" nga Sarajeva ka marrë nga Enti Federal për Punësim që në vitin 1999, 25.000 KM (Konvertibilna Marka është monedha e Bosnjës, 1 euro = KM 1.95583), ndihmë për ndërtimin e hotelit "Rogner" në Sarajevë.
"Ky hotel duhej të ndërtohej nga një kompani austriake, kurse Damir Fazlliç në cilësinë e konsulentit duhej të merrte pjesë në të gjitha punimet. Fazlliç duhej të ndihmonte për punësimin në këtë hotel të 100 punëtorëve. Hoteli nuk u ndërtua asnjëherë, punëtorët nuk u punësuan, kurse Enti Federal i Punësimit 25.000 KM i shndërroi në një hua pa kthim për Damir Fazlliç", - thuhet në raportin e prokurorisë kantonale të Sarajevës.
Në rastin tjetër, Fazlliç, në cilësinë e përfaqësuesit të kompanisë amerikane "Capital Investment Menagment Corporation", kishte marrë 250.000 dollarë amerikanë nga Fabrika e Duhanit në Sarajevë për shërbime konsulente në përgatitjen e tenderit për shitje të kësaj fabrike.
"Fabrika e Duhanit në Sarajevë dy herë i ka paguar kësaj firme 250.000 dollarë amerikanë, por shërbimet e porositura nuk janë kryer asnjëherë e as që është lidhur kontratë. Fabrika e Duhanit në Sarajevë që në vitin 2002 ka parashtruar padi për kthimin e të hollave", - thuhet në raportin e hetimit të prokurorisë kantonale të Sarajevës.
Në kuadër të këtij hetimi, prokuroria e Sarajevës po verifikon edhe lidhjet e Damir Fazlliç me Hrvoje Petraç, një biznesmen nga Kroacia, i dënuar për pengmarrje, i dyshuar për lidhje me të akuzuarin e Hagës, Ante Gotovina.
Mediat kroate publikuan para dhjetë ditësh pjesë nga ditari privat i Hrvoje Petraç, në të cilin përmenden bashkëpunimet e tij me Damir Fazlliç. Sipas të dhënave të gjykatës kantonale në Sarajevë, Petraç dhe Fazlliç kanë formuar një firmë të përbashkët "Sarajevë P&F Trade", e cila pas disa muajsh ekzistence ishte shuar. Gjatë ditëve të shkuara u përpoqëm të bisedonim edhe me Damir Fazlliç, por firmat, pronar ose përfaqësues i të cilave ai është, nuk kanë numra të regjistruar telefonash, ashtu si edhe vetë Fazlliç. Në banesën e tij në lagjen Vishnjik të Sarajevës, që është selia e firmës "European Finance", por edhe vendbanim i Damir Fazlliç, gjatë ditëve të shkuara nuk ka pasur njeri.
* "Nezavisne Novine", "E përditshmja e Pavarur", është një gazetë me qendër në Banja Lluka të Bosnjës
Të gjitha fshehtësitë e ditarit të Petraçit*
Prokuroria, gjykata e Zhupanisë së Zagrebit dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë në pronësi shënimet private të Hrvoje Petraçit nga ditari i vitit 2003. Opinioni është njohur vetëm me një pjesë të përmbajtjes së këtij ditari, shënimet ku përmendet emri i Sinisha Jezhovitës – rrëmbyes i të miturit Tomisllav Zagoraç. Petraçi para gjykatësit Turliç ka deklaruar se përveç vëllezërve Matekoviç, personalisht nuk ka njohur asnjërin nga rrëmbyesit e as që ka dëgjuar për ta. Por në shënimet e 6 marsit 2003, të shkruara me një dorëshkrim vështirë të lexueshëm, Petraç e përmend emrin e Sinisha Jezhovitës, i cili u arrestua një vit më pas e pastaj u dënua si anëtar i grupit rrëmbyes. Ditari, në të cilin Petraç ka shkruar emra të besueshëm, takimet e biznesit dhe planet, është kthyer kundër vetë atij.
Por, nga përmbajtja e gjithë ditarit, të cilin gazetari i "Globus"-it pati rastin ta shikojë në detaje, vërehet se rrëmbimi i të miturit Tomisllav Zagoraç është vetëm pjesa e vogël e veprimtarisë së Petraçit, ndoshta pjesa më e rëndomtë. Shënimet e tjera, qindra të tilla, ngjajnë si titujt e kronikës së zezë rajonale.
Ditari i Petraçit nuk duket si një bllok shënimesh i një afaristi, por shumë më tepër si axhenda e një krimineli ndërkombëtar, sepse në të, përveç disa emrave të akuzuar për krime lufte dhe shënimeve në lidhje me takimet me persona nga qarqe të narkobiznesit vendas e të jashtëm, gjendet edhe regjistri i "borxhlinjve" dhe i fajtorëve, mes të cilëve janë edhe shumë emra të jetës afariste dhe bankare kroate, për të cilët pas disa aferave të pazgjidhura e të njohura pohohet se iu janë nënshtruar shantazheve dhe presioneve të krimit të organizuar.
Kështu, ndër të tjera, në fillim të janarit 2003, Petraç në ditarin e vet ka shkruar edhe procesverbalin nga takimi me narko-bosin Jonuz Dervishi, gjoja sipërmarrës në fushën e ndërtimeve nga Rjeka, të arrestuar në shtator 2006 në një aksion antimafioz, i cili për javë të tëra mbushi faqet e gazetave kroate. Dervishi akuzohet për kërcënim dhe për pengim të dëshmitarëve, ndërsa në bandën që kishin krijuar tetë kriminelë, gjendej edhe një avokat i njohur, një polic dhe përfaqësuesi i fabrikës së njohur. Në konferencën për gazetarë, të organizuar nga Ministria e Brendshme me rastin e arrestimit të Dervishit, u përmend se grupi i tij akuzohej dhe për vepra të tjera të rënda të dënueshme nga sfera e krimit të organizuar ndërkombëtar: trafikimi i automjeteve dhe i drogës, tregtia ilegale e qenieve njerëzore etj. Me bastisjen e banesës së Dervishit u gjet dokumentacioni që vërteton pjesërisht këtë.
Petraçi në bllokun e shënimeve shkruan dhe për Florim Malokun, të quajtur Floki, të cilin Këshilli i Trupit hetues kroat e akuzon për trafikimin e cigareve dhe narkotikëve në ish-Jugosllavi. Maloku ka qenë mik dhe partner i Lulzim Krasniqit të vrarë, e Petraçi në bllokun e shënimeve të tij, më 15 janar 2003, e përshkruan nën siglën "Bat-Philip Morris -shpërndarja nëpër kafe".
Krahas emrit të Malokut, Petraçi shkruan edhe emrin e Bedri Selmanit, ndërmarrës ndërtimor nga Spliti, i njohur me aferën e fundit të humbjes së një shume të madhe parash, të cilat në parkingun e Shtëpisë së Mallrave në Split i kishte gjetur kalimtarja e rastit dhe ia kishte dorëzuar policisë. Selmani menjëherë iu paraqit policisë si pronari i vërtetë i "çantës së humbur me një shumë të madhe me pará të gatshme".
Të shtunën, më 24 shtator, Petraç shkruan në bllokun e tij për Damir Fazlliç dhe fabrikën "Copita Invest Group".
Damir Fazlliç është ndërmjetës kontrovers nga Bosnja e Hercegovina, të cilin trupi hetues i Bosnjës e akuzon për mashtrime të shumta, pjesëmarrje në korrupsion dhe në politikë, si dhe hedh dyshime dhe për përfshirje në trafikimin e cigareve e të mallrave të tarifës së lartë, si dhe e lidh me tregtarë ndërkombëtarë të armëve si Hasan Çengiç dhe Nedim Shulak. Shulak është i njohur tek opinioni kroat me transkriptet e famshme të Petraçit, ku përmendet si ndërmjetës i Petraçit në tregtimin e armëve me shtetet arabe. Në mediat e Bosnjës, emri i Fazlliç lidhet me qarqet e kontrabandës beogradase, përmendet se ka dështuar në pjesëmarrjen për privatizimin e fabrikës së duhanit të Sarajevës si ndërmjetës në emër të blerësit beogradas e theksohet edhe se Fazlliç është kushëri nga ana e nënës i Jovica Stanisiç, shefit famëkeq të Shërbimit Sekret të Millosheviçit. Fazlliç ka në Beograd edhe përfaqësinë për shitjen e cigareve e me urdhër të policisë serbe gjatë aksionit antimafioz "Shpata" është marrë në pyetje nga Interpoli i Sarajevës në Bosnjë lidhur me rrethanat e vrasjes së kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç.
Sipas dokumentacionit që ka "Globus", Petraç, në arrati që nga viti 2004, në vitin 2004 ka ngritur fabrikën e përbashkët të eksport- importit me Damir Fazlliç. Nënshkrues të marrëveshjes për formimin e fabrikës janë Alica Petraç e Damir Fazlliç. Selinë e kanë në Sarajevë.
Në bllokun e shënimeve të Hrvoje Petraç janë edhe dy emrat nga qarqet e kriminalitetit boshnjak. Në shënimet e datës 8 shkurt, Petraç shkruan emrat e Bakiç Alispahiç dhe Naser Oriç. Krahas Alispahiç, ai shkruan shënimin "Kur?", e krahas emrit të Oriçit shtron pyetjen "Kush i është sulur?".
Me qenë se Petraç nuk është hetues policor, as hetues i Gjykatës së Hagës na mbetet të pyesim se pse në shënimet e tij gjendet Bakir Alispahiç, shef famëkeq i Shërbimit Sekret boshnjak AID, dikur i akuzuar për krime lufte kundër kroatëve në fshatin Grabovica, për formimin e "Sheva"-s – Aradhën e vdekjes, e cila në Sarajevë udhëhiqte ekzekutimet e organizuara të civilëve serbë, pastaj për themelimin e "Pogoriricas" – kamp ushtarak në afërsi të Tuzlës, i cili me vite ka shërbyer për stërvitjen e muxhahedinëve.
Në dëshminë e vet në Gjykatën e Hagës për këto krime dhe për bashkëpunim me muxhahedinët e kishte akuzuar madje edhe Sefer Haliloviç, udhëheqës ushtarak i armatës së BH.
Është vështirë të zgjidhet enigma, pse Petraç ishte brengosur, pse dikush "kishte sulmuar Naser Oriç", ish-eprorin e armatës së BH në Srebrenicë, të cilin mediat boshnjake e paraqesin si hero të mbrojtjes së këtij qyteti tragjik, por edhe e akuzojnë për lidhjet e pasluftës me narko-nëntokën në Serbi, Sanxhak dhe Kosovë…
Oriçin dhe Alispahiçin i lidh së bashku edhe skandali me rastin e arrestimit e kontrabandistit të BH, Mirsad Skrijel, i cili në vitin 2006 u arrestua në stacionin e autobusëve në Maglaj me 1 kg heroinë e në telefonin celular të të cilit u gjetën numrat e mafiozit të Sarajevës, Ismet Bajramoviç- Çela, dhe të Bakir Alispahiç dhe të fabrikës "Harkom", pronë e Naser Oriç.
* Marrë nga revista e përjavshme kroate Globus, e cila njihet si pioniere në fushën e gazetarisë investigative në Kroaci, perkthimi nga gazetatema.net. Damir Fazlic, sipas nje investigimi qe po botohet prej disa ditesh ne gazeten Tema eshte nje nga konsulentet e afert te kryeministrit shqiptar Berisha dhe mik me ministrin e jashtem Lulzim Basha