Konsulli Shehu: Nuk ka ende motiv për ngjarjen

Në gjendje më të rëndë është 66-vjeçarja nga Përmeti Efimi Bika. Gruaja ka marrë një plumb në qafë. Vetëm një nga autobusët është qëlluar me armë
Konsulli shqiptar në Janinë, Eshref Shehu, u shpreh për gazetën "Shekulli" se ngjarja e ndodhur pak pas mesnatës së të dielës, nuk kishte ende një motiv.
Dyshohet për grabitje, por mund të bëhet fjalë edhe për një sulm ndaj emigrantëve shqiptarë, duke qenë se të ashtuquajtur grabitës, nuk kanë marrë asgjë në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Zoti Konsull, si është gjendja e tre shqiptarëve të plagosur nga sulmi në Athinë?
Për momentin mund të deklaroj se gjendja e tyre është e mirë. Të tre kanë dalë jashtë rrezikut dhe nuk do të kenë pasoja të mëtejshme.
Unë personalisht kontaktova me të tre të plagosurit dhe mund të them se janë mirë. Një djalë i ri, Vangjel Stavro, ka pasur dëmtime të lehta dhe ka dalë që paradite nga spitali. Gruaja 66 vjeç, Efimi Bika nga Përmeti është ajo që ka marrë plagën më të rëndë. Ndërsa Soni Hodaj ndodhet ende në spital.
Çfarë dëmtimi ka gruaja që ju thoni se është më rëndë?
Gruaja ka marrë një plumb në qafë, por që nuk i ka dëmtuar enët kryesore të gjakut. I ka dëmtuar një vertebër por pa rrezik paralize. Ajo i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe tani është jashtë rrezikut në një gjendje të stabilizuar.
Ndërsa djali Soni Hodaj do të qëndrojë dy ose tre ditë në spital. Ai ka plagë në dorë dhe në kofshë. Ju ishit në vendin e ngjarjes dhe keni folur me shtetasit shqiptarë të dëmtuar.
Mund të na shpjegoni se si ndodhi ngjarja?
Nga dëshmitë e pasagjerëve të autobusëve kanë mësuar se ngjarja ndodhi në orën 00:26 duke hyrë dita e sotme (dje). Dy autobusë me shtetas shqiptarë kishin ndaluar në lokal. Në atë moment kanë hyrë grabitësit. Ata ishin të maskuar dhe me armë në dorë. Dy nga grabitësit kanë hyrë në lokal dhe kanë nisur të bëjnë terror. Një i tretë ka qëndruar jashtë.
Në atë moment, aty ka ardhur edhe autobusi i tretë me shtetas shqiptarë. Personi që ndodhej jashtë lokalit i ka kërkuar pasagjerëve që të futen brenda, ku ndodheshin edhe shqiptarët e tjerë. Ata kanë nisur që të qëllojnë me armë për të terrorizuar njerëzit.
Të shtënat e armëve kanë qenë drejt njerëzve dhe autobusëve?
Të shtënat e armëve ishin për të trembur njerëzit. Ata kanë qëlluar në ajër dhe në tokë. Nga këto të shtëna janë plagosur edhe tre shtetasit shqiptarë. Dy djemtë janë plagosur teksa ndodheshin në lokal.
Gruaja e moshuar është plagosur kur ndodhej në autobus. Nga të dhënat e para dyshohet se ajo është plagosur nga një plumb rikoshet, por do të jenë hetimet e policisë ato që do të zbardhin të vërtetën si janë plagosur njerëzit. Unë mund të them se vetëm një autobus është qëlluar me armë, dhe aty është plagosur gruaja Efimi Dika.
Cili ishte motivi i kësaj ngjarjeje, grabitja apo një sulm ndaj emigrantëve shqiptarë?
Policia greke ka tre pista hetimore, por nuk mund t'i them se cilat janë. Edhe këto pista që përmendni ju janë duke u hetuar. Për momentin nuk është zbardhur ende ngjarja që të ketë një pistë të vetme.
Dikush thotë që është grabitur, por të dhënat e tjera nuk tregojnë për grabitje. Unë i kam konsumuar pistat me policinë, por nuk mund t'jua them sepse ata janë ende duke hetuar. Të gjitha detajet janë objekt i hetimit.
Vetë policia greke si e ka cilësuar ngjarjen?
Policia ka reaguar shpejt. Ajo e ka quajtur një ngjarje të shëmtuar dhe ka ndërhyrë që në momentet e para. Unë mendoj se ata po punojnë mirë dhe për momentin gjendja është stabilizuar.
Çfarë kuptoni me gjendja është stabilizuar?
Situata tani është e qetë. Pasagjerët kanë vazhduar rrugën e tyre. Deri në orët e paradites aty ndodheshin edhe shumë familjarë të tyre. Ata kanë falënderuar si policinë, ashtu edhe personelin e spitalit që ka dhënë ndihmën e parë mjekësore.
Kishte probleme me ndonjë nga pasagjerët?
Probleme kishte me njërin prej tyre, por mendoj se janë zgjidhur. Një nga të plagosurit ndodhet në polici. Ai nuk kishte dokument,e por policia greke është treguar korrekte me të.
Atij iu tha se do të mbarojë mjekimin në spital dhe më pas do të kthehet në Shqipëri pa pasur probleme të tjera. Dua të theksoj se tashmë gjendja është shumë e qetë dhe familjarët e pasagjerëve të autobusëve nuk kanë asgjë për t'u shqetësuar.