Laurent Terzieff, ikën një mjeshtër i skenës
Laurent Terzieff? Nëse e keni parë "Medea" e Pier Paolo Pasolinit, nuk e keni të vështirë t'ja sillni ndër mend portretin dhe dialogun e çuditshëm për kohën që rrjedh në pavetëdijen e njeriut, që ai centaur gjysmë burrë dhe gjysmë kal bën, herë buzë detit e herë në rrënoja, me Jasonin i kthyer nga ekspedita e argonautëve për rrëmbimin e bashkës së artë me ndihmën e Medeas.
Por që nga ajo kohë Terzieff iu përkushtua dhe dha shumë për teatrin si regjisor dhe aktor. Vetëm prillin që shkoi, 75-vjeçari u vlerësua për dy interpretime të ndryshme me dy "Moliere", çmimi më i lartë që jepet për teatrin në Francë.
Kishte bërë punë të ndryshme si teknik në teatër kur vjen në vitin 1952 debutimi i tij.
Por do të punojë paralele në kinema me mjeshtër të kohës, me Luis Bunuel te "Rruga e qumështit" më 1969, në njëjtin kur del "Medea" ku ai bashkëpunoi me Pasolinin, me Valerio Zurlinin te "Shkretëtira e tartarëve" etj.
Presidenti francez Nicolas Sarkozy foli për "shuarjen e një zëri unik, e një muzike të rrallë që e kapërcente zukamën e botës".
"Gardërobieri" dhe "Filokteti" ishin dy veprat e fundit që e ngjitën Laurent Terzieff në skenën e teatrit.
Për "Filoktetin" ai do të shprehej: "Në të vërtetë unë kam një etikë që më shtyn të shpreh shumë gjëra me minimumin e mjeteve, qoftë në aspektin material, të dekorit, apo në aspektin e energjisë së harxhuar. Të tregoj pa demonstruar, ja këtë dua."
Ai kishte kërkesa të qarta e të rrepta për dramaturgjinë bashkëkohore. Ja ç'mendonte për teatrin kontemporan të bashkëkombasve të tij: "Nuk arrij të gjej në Francë autorë të teatrit kontemporan që të trajtojnë dy aspekte themelore të gjendjes njerëzore: botën e brendshme dhe botën e jashtme, njeriun publik që lufton, dashuron, punon dhe njeriun e brendshëm me ëndrrat e tij, aspiratat dhe ankthet e tij.
Unë kërkoj një formë simbioze të këtyre dy anëve plotësuese të natyrës njerëzore. Dikur e gjeje ketë në Francë, pas Luftës sidomos, por ata që kërkoja e kam gjetur sidomos në Lindje dhe tek autorët anglo-saksonë..."