E Diel, 1 Nëntor 2026

Financim koprac për animacionin

Humori i zi i regjisorit Shaqir Veseli merr shenjë pushtetin dhe shpirtin njerëzor. "Gjyqi" me skenar të Gjergj Xhuvanit, një nga dy projektet fituese për filmin e animuar 2010


Projekti "Gjyqi" i regjisorit Shaqir Veseli, me skenar të Gjergj Xhuvanit është një ndër dy projektet që ka miratuar për këtë vit Këshilli Miratues i Projekteve të Filmit të Animuar, bashkë me "Puthjet etnike" të Jani Zhongës.


"Gjyqi" trajton raportin e pushtetit me shpirtin njerëzor dhe është në vijim të tematikave të krijimtarisë së regjisorit Shaqir Veseli i cili i cilëson ndryshe humor i zi me karakter thumbues. Filmi mendohet të realizohet në teknikën e kartonit të lirë dhe ka marrë nga qendra rreth 1.846.000 lekë. I gjithë projekti ishte llogaritur diku tek 2.800.000 lekë. Pjesa tjetër i takon producentit "Projekt SXHJ".


Veseli ka përvojë të gjatë me filmin e animuar, para dhe pas viteve '90. Kur e pyesim se ç'mendim ka ai vetë për nivelin e filmave të realizuar para rënies së regjimit, shpjegon se nga pikëpamja profesionale të gjithë përpiqeshim të bënim më të mirën, në mënyrë që të vazhdohej të ndiqej hapi dhe ritmi i krijimeve të mëparshme të nisura qysh më 1975.


Në krijimtarinë e tij shihen pauza të gjata në realizimin e filmave për shkak të mungesës së fondeve.


Në këtë intervistë ai flet edhe për problemin e përhershëm të filmit të animuar: financimin koprac.


Shaqir Veseli ka qenë bashkëregjisor me Boris Ikonomin tek: "Merimanga dhe Brumbulli" (1986) dhe regjisor i filmave: "Mbreti i bretkosave" (1992), "Sipas kapelës kokën", "Guernika" (2009). Me Xhuvanin ka realizuar: "Kafene" (2002), "Biba", "Tsunami" (2008). "Gjyqi" shënon bashkëpunimin e katërt mes tyre.

Z. Veseli si e mbrojtët projektin "Gjyqi" përpara Këshillit Miratues të Projekteve të filmit të animuar në QKK?


Nuk pati shumë diskutime sepse anëtarët e bordit, idenë e gjenin të shprehur qartë në projekt. I shpjegova vetëm për një specifikë të filmave që unë kam bërë kohët e fundit. Ka situata në teknikën e kartonit të animuar, sidomos të mizanskenave brenda planeve që zgjidhen aty për aty, në tavolinë. Kjo i jep ekspresivitet filmit.


Në teknologjinë e xhirimit të filmit me karton ndodh që të bësh zgjidhje të figurave që krijojnë një situatë e cila nuk është parashikuar ashtu në projekt, por synon që t'ja rrisë dozën emocionale ose estetike filmit. Normalisht kjo është pranuar meqenëse i gjithë procesi krijues i skenarit, konceptimi i platformës regjisoriale dhe animacioni janë në koherencë mes tyre.


Si u motivua fitues ky projekt në mesin e 7 të tjerëve?


Bordi asnjëherë nuk vlerëson vetëm për një element, po për tërësinë e tyre: për koherencën e skenarit, storyboardit, konceptit regjisorial. Vendimi është marrë në kompleks, për gjithë projektin, pa harruar edhe pjesën financiare.


Sa shkonte i gjithë projekti?


Kjo është çështje që më saktë e di producenti, por afërsisht është 2.800.000.
Nga përvoja di që gjithnjë projektet janë financuar deri në 60% nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.


Buxhetet kanë qenë të vogla dhe nganjëherë ndodhesh në një pozitë mjaft të vështirë me bashkëpunëtorët. Një njeriu me eksperiencë si Gjergj Xhuvani nuk mund t'i kërkosh një skenar për një shumë e cila financohet vetëm në masën 60%.


Produkti që ai jep është i një cilësie të lartë, garantohet nga përvoja dhe krijimtaria e tij. Ndryshe nga parametrat e filmit të animuar nëpër botë ne kërkojmë një shifër modeste për realizimin e filmit.


Po pjesa tjetër e financimit si është zgjidhur? Bëhet fjalë për një shifër afro 1.000.000?
Ky 10 milionësh është një rrisk i marrë përsipër nga produksioni. Ai vë në dispozicion studion e xhirimit dhe kamerat që janë pjesë të mira të investimit.


Nëse do të ishim në një studio xhirimi, qoftë edhe në Kinostudio, kostoja që duhej të paguanim është 8000 lekë në ditë. Aq më tepër përdorimi i kamerës që ka qiranë e saj.

Sërish kërkuat një skenar nga Gjergj Xhuvani. Ç'ju mban të lidhur?


Marrëdhënia ime me Gjergjin ka qenë frytdhënëse. I kam gjetur me esencë të bukur dhe me hapësirë skenarët që ai ka shkruar dhe ka qenë i kënaqur me ato çka unë kam realizuar. Po kështu edhe me kompozitorin e filmave, Fatos Qerimi, që nuk është hera e parë që bashkëpunoj.


Me aq sa mund të zbulohet nga skenari, për çfarë flet "Gjyqi"?


Është një temë sociale. Natyrisht nuk mund të jetë pamflet i problematikës së ditës dhe i një hapësire të ngushtë sociale siç është Shqipëria.


Si në çdo tendencë për krijimin e një vepre arti, pretendojmë përgjithësimin e mesazhit, e karakterit të ideve që përmban skenari dhe të gjejmë një formë artistike realizimi sa më të përparuar. "Gjyqi" flet për raportin mes pushtetit dhe shpirtit njerëzor.


Cilës audience i flet?


Filmat e mi nuk janë për grupmoshat e vogla. Janë skenarë me një filozofi brenda. Filmi autor nuk i ka parasysh këto lloj klishesh (të moshës). Ka filma të animuar të realizuar bukur që i shohin me kënaqësi të rritur dhe të vegjël. Secila moshë merr atë që i duhet. Dikush mund të marrë qoftë edhe kënaqësinë estetike të një kuadri viziv interesant.


Duket sikur vijoni të njëjtin koncept në tematikën e filmave tuaj.
Kjo është vazhdë. Nuk është përsëritje, por ka të njëjtin karakter me filmat e tjerë. Një lloj humori i zi me karakter thumbues. Kjo është situata që përftohet.


Me çfarë teknike mendohet të realizohet filmi?


Tani për tani, meqenëse është akoma në projekt, është kolazhi i kartonit të lirë, por kjo nuk do të thotë që të mos ketë ndryshime, ndonjë novitet.


Nga përvoja që keni, mund t'i bëni bashkë problemet që nuk e lënë animacionin të ngrejë kokë?


Prej disa vitesh janë reduktuar financat për filmin e animuar. Ka pasur vite që nuk janë financuar fare. Në një periudhë 12-vjeçare janë prodhuar më pak filma nga sa kanë qenë mundësitë reale të regjisorëve shqiptarë të filmit të animuar.


Mendon se kemi ngecur tek problemi i vizionit, filmi i animuarit nuk hahet dot me artistikun?


Nuk më duket problem vizioni sesa i pjesës burokratike të institucioneve shqiptare. Kanë vajtur në bord 10-12 projekte dhe janë aprovuar 2. Nuk mund të konsiderohet financim optimal dhe të themi që QKK ka zbrazur xhepat, kur i jep filmave nga 14 ose 15 milionë siç ka ndodhur edhe në dy vitet më përpara. Kjo ka sjellë që shumë autorë janë larguar nga kjo zonë, nuk janë marrë më me filmin e animuar.


Po autori animator duhet të shpresojë vetëm nga QKK? Nuk është një ndër detyrat e producentit të vjelë mbështetje ku të mundë?


Vështirësia që hasim për të gjetur producentë që rrezikojnë lidhet edhe me kushtet. Në Shqipëri kinematë mund t'i numërojmë me gishtat e njërës dorë.


Ekrani i vogël akoma nuk ka arritur në stadin që të paguajë aq sa duhet paguar për shfaqjen e filmave. Producenti nuk përmbyll rolin e tij vetëm në gjetjen e fondeve nëpër donatorë. Ai ka rol edhe më specifik.


Në të gjithë vendet e botës ku ke mundësi distribuimi, producenti mund ta prodhojë edhe me financimet e veta dhe pastaj t'i nxjerrë këto financime në treg. Këtu menjëherë na dalin dy vështirësi. E para, tregu i filmit autor është treg mjaft i reduktuar.


Është një lloj si çdo vepër tjetër artistike që ka të bëjë me individin, me unin e autorit, me personalitetin e tij krijues, që nuk është e thënë të jetë e mirëpranuar dhe e pëlqyer nga e gjithë masa. Masa do të konsumojë diçka tjetër.


Ndoshta do të vijë koha në Shqipëri që producenti të kërkojë 49% financime nga QKK sepse 51% i financon vetë, për të patur përgjithnjë të drejtën ekskluzive mbi paketën e filmit. Ose do të vijë momenti që do t'i prodhojë vetë, siç ndodh nëpër filmat që prodhojnë kompanitë televizive.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›