E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsulli grek: Liçi solli dokumente false për 55 vetë



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Një ditë pas skandalit të vizave, në zyrën e OMONIA-s në Korçë, janë paraqitur qytetarë që pohojnë se kanë dhënë para për nxjerrjen e vizave në Greqi. Ndërsa konsulli grek deklaroi se të paktën në një rast kanë bllokuar kërkesat për vizë të 55 pasagjerëve të një autobusi, pasi dokumentet ishin false. Këto të dhëna u bënë dje të njohura, me reagimet publike, por që pritet t'i bashkohen denoncimit zyrtar në prokurori ndaj ish-kreut të organizatës, Spiro Liçi. Të paktën 15 persona kanë dëshmuar publikisht për dhënien e shumave deri në 200 euro për një vizë. Pas konfliktit të shpërthyer mes dy pretendentëve për postin e kryetarit të OMONIA-s dhe prononcimit të Konsullatës së Përgjithshme Greke, se Liçi ka abuzuar me detyrën e tij, duke synuar nxjerrjen e vizave për qëllime fitimi, policia përgatiti dokumentacionin për fillimin e procedimit penal ndaj tij. Sipas burimeve, Spiro Liçi akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm nëpërmjet postit të tij për nxjerrjen e vizave greke. "Kjo akuzë mund të formulohet edhe si mashtrim ndaj qytetarëve, por do të jetë Prokuroria ajo që do të përcaktojë saktë veprën penale ndaj ish-kreut të OMONIA-s në Korçë, Spiro Liçi", u shprehën burime nga grupi hetimor. Sipas tyre, Liçi do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Një tjetër denoncim ndaj tij vjen edhe nga pretendenti për kryetar i degës së OMONIA-s, Naum Disho. Ai i është drejtuar prokurorisë për goditje gjatë konfliktit të ndodhur të hënën. Policia ka hetuar kryesisht këtë rast, pas deklaratës së Konsullit të Përgjithshëm grek në Korçë. Në deklarimin e tij, konsulli grek pohoi se janë kryer verifikime që tregojnë se Liçi ka paraqitur dokumente false, për të pajisur me vizë persona të kërkuar nga Interpoli apo të tjerë, që iu ishte ndaluar hyrja në vendet Shengen. Konsulli grek në Korçë, Theodhoros Ikonomu deklaroi dje se nga ana e kreut të OMONIA-s janë paraqitur 55 persona me dokumente false për viza. Konsulli grek pohoi se ata tentonin të udhëtonin me një autobus për në Greqi, për qëllime sipas deklarimeve, turistike. "Kemi rastin konkret kur kreu i OMONIA-s, Liçi, ka sjellë me dokumente për viza false 55 persona. Por ne e kapëm në kohë dhe e refuzuam", u shpreh Ikonomu. Ai tregon se ka pasur shumë tentativa të tjera që janë kapur në kohë nga ana e konsullatës greke duke refuzuar pajisjen me viza të shtetasve të dyshuar. Gjithashtu Liçi u akuzua nga konsullata edhe për tjetërsimin e ndihmave që vinin nga Greqia, të cilat në vend që të ndaheshin falas janë dhënë me pagesë. Tashmë janë 15 qytetarë që janë ankuar në zyrën e OMONIA-s. Sipas tyre, ata kanë dhënë deri në 200 euro për një vizë. Një prej qytetarëve, Petrit Liço, u shpreh se i ka paguar ish-kryetarit të OMONIA-s 200 euro, rreth dy muaj më parë, me premtimin se do ta pajiste me vizë nëpërmjet konsullatës. Po kështu, një grua e moshuar deklaroi se kishte paguar të njëjtën shumë,dhe prej afro 3 muajsh priste që të merrte vizën, por më kot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›