KRRT-ja bllokohet te porti i peshkimit
DURRES - Këmbëngulja e kryebashkiakut, Vangjush Dako, për t'i thënë "Jo" investimit arab të portit të peshkimit pranë shëtitores, çon në bllokimin dhe më pas dështimin e mbledhjes së KRRT-së. Ky institucion është bllokuar si pasojë e sherreve që kanë përfshirë dy kampet politike kryesore, në lidhje me portin me vlerë 15 milionë dollarë amerikanë, para këto që jepen në formë kredie të butë nga investitori. Mbledhja e radhës e KRRT-së së Bashkisë së Durrësit ka dështuar si pasojë e mosparaqitjes së tetë këshilltarëve të djathtë, të cilët si kusht për pjesëmarrje në këtë organ i kanë kërkuar zyrtarisht bashkisë futjen në rend të ditës të kërkesës për lejen e sheshit të ndërtimit të portit të ri të peshkimit. Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, mospjesëmarrjen e anëtarëve të djathtë të KRRT-së e ka komentuar si bllokim të zhvillimit ekonomik të qytetit bregdetar. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i anëtarëve të djathtë, të cilët me një kërkesë zyrtare i kërkojnë bashkisë futjen e kësaj pike në rend të ditës. "Nëse pika për shqyrtim e lejes për shesh ndërtimi të portit të peshkimit nuk do të futet në KRRT, atëherë bashkia po i mbyll derën funksionimit të këtij organi", deklaroi Admir Muka, anëtar i KRRT. Ky institucion përbëhet nga 15 anëtarë. Shtatë përfaqësojnë Bashkinë dhe pjesa tjetër, që përbën shumicën e këtij organi, janë të djathtët. Prej muajsh leja e sheshit të ndërtimit të portit të ri të peshkimit në Durrës është bërë objekt i një sherri të madh. "Në këtë mbledhje kishim parashikuar, përveç lejeve private edhe shumë investime publike. Kemi disa rikualifikime sheshesh dhe disa rikonstruksione rrugësh, të cilat mbahen peng nga mosaprovimi në këtë mbledhje. Ky është një vendim i pastër politik dhe ne do ta denoncojmë atë para të gjithë qytetarëve dhe do t'i bëjmë me dije ata, që ky grupim po pengon punën e bashkisë dhe shërbimin ndaj qytetarëve, me pretendimin e vetëm, që nëse nuk futet në mbledhjen e KRRT miratimi i portit të peshkimit, do ta bojkotojnë atë. Qëndrimi ynë është bërë i ditur që prej vitit të shkuar, se porti i peshkimit bie ndesh me planin e përgjithshëm rregullues të qytetit që ne e kemi aprovuar", tha Dako. Burime nga bashkia saktësuan se 150 dosje janë të bllokuara nga mosfunksionimi i KRRT-së. "Ne jemi gati të shkojmë në mbledhjen e KRRT, nëse do të diskutohet për interesat e qytetit dhe jo të klientëve të kryebashkiakut", iu kundërpërgjigjën të zgjedhurit e djathtë dhe ata të LSI-së. Përplasja nisi pasi Dako pretendon ndërtimin e portit në Porto-Romano, duke e argumentuar me ndotjen e shëtitores në rast ndërtimi pranë Taulantias. Ndërkohë që projekti arab parashikon dhënien e fondit vetëm nëse ndërtimi do të bëhet në shëtitore. o.u