Konsulli italian: Për studentët, procedura të pandryshuara
Konsulli italian në Vlorë, Sergio Strozzi, sqaron se procedurat që do të duhet të ndjekin studentët për arsimimin e tyre në Itali nuk kanë ndryshuar nga një vit më parë. Duke parë interesimin e dukshëm nga shumë studentë për të vijuar studimet universitare në shtetin fqinj Strozzi tha se vetëm nga konsullata e Vlorës kanë marrë miratimin për të patur Italinë si destinacion për arsimim rreth 350 studentë. “E shikojmë të arsyeshme të sqarojmë duke parë një interesim të tillë, por edhe në një kohë që po flitet për liberalizimin e vizave, se procedurat për studentët do të mbeten të pandryshuara. Të gjithë personat që do të duan të vijojnë studimet për vitin 2010-2011 në Itali, do të ndjekin të njëjtat hapa siç edhe deri më tani”, deklaroi në një konferencë për shtypin konsulli italian i Vlorës. Sipas tij, liberalizimi nuk do të nënkuptojë se ata do të përjashtohen nga testimet mbi njohjen e gjuhës italiane, element ky tepër i domosdoshëm, mbi të cilën u jepet aprovimi i studentëve për të vijuar studimet universitare në Itali. Të gjithë do t’u drejtohen këtyre njësive të akredituara, për të dhënë testimet përkatëse. CELI do të vijojë të jetë pjesë e këtyre procedurave, duke i lënë të pandryshuara ato të marrjes së statusit të studentit në shtetin fqinj.
#