Vendlindje në rrjedhat e kohës
Shënime për librin e historianit Faik Bruçi
Duke lexuar librin e historianit Faik Bruçi, mbi një pjesë të trevës së Dibrës, Lukanin, në periudha kulmore të historisë, bindesh se libra të tillë janë të nevojshëm jo vetëm për një lexues të kufizuar, por ato mbartin vlera më të gjëra, sepse çdo ngjarje është rrezatim i një panorame kombëtare dhe të bën të mendosh se sa e vështirë, nëpër çfarë situatash dramatike ka kaluar një pjesë e mirë e historisë sonë. Kur kjo pasqyrohet bukur të ngjall krenari e respekt për brezat e kaluar, që u përballën me sfida jo të zakonshme, por me sfida të mëdha, atëherë kur atdheu ishte në rrezik. Me skrupulozitetin e studiuesit të paanshëm, autori na jep një numër bukur të shtjelluar periudhash kohore, ngjarje, data, njerëz, ndodhi kalimtare në trajtën e kujtesës, po edhe ngjarje më të mëdha, duke u paraqitur herë si dëshmitar, po në të shumtën e rasteve si një studiues analitik, e rigoroz në verifikimin e fakteve. Si njohës i mirë i temës për të cilën shkruan, autori dëshmon se i ka mbajtur të forta lidhjet me vendlindjen, jo vetëm në vitet e shkuara, por vazhdon t’i mbajë edhe sot e gjithë ditën në kufijtë e një njohjeje të përhershme, pa tentuar të përcjellë vetëm emocione ekzotike, por së bashku me to të na japë një reliev të mirëpërcaktuar të vendlindjes, ku malet e Dibrës duket se janë krijuar nga realiteti gjeomorf vetëm për të prodhuar histori. Breza të tërë kanë luftuar për liri dritë, përparim, arsimim e kulturë dhe kjo përbën boshtin ideotematik të librit. Një nga qëllimet e autorit ka qenë se historia duhet shkruar. Harresa është ndryshku i saj, ashtu siç kujtesa të nxit të rizbulosh gjithnjë në të fakte dhe gjëra të reja. Koha e sotme e globalizmit me rrymat e veta të stuhishme i çngjyros disa konture të së kaluarës, po kurrsesi s’duhet pranuar se bjerrja e identitetit fisnor është anakronizëm që nuk i përshtatet modernitetit. “Le të jetë ky libër, një elektrik dore apo një qiri për të ndriçuar fëmijët tanë”, shprehet autori dhe këtë nuk e thotë si një porosi moralizuese, por e ka mision të penës së tij. Sot në tregun kulturor dalin shumë libra për krahinat, fiset, figura të panjohura më parë, të cilat mbushin një zbrazëti të trishtueshme, pasi historia jonë ka nevojë të përvijohet, të thellohet, të ballafaqohet me veten, kohërat, duke dhënë shtysën e një premise në vazhdimësinë e pasqyrimeve të mëtutjeshme edhe nga të tjerë. Libri i Faik Bruçit na hedh një vështrim mbi gjeografin e Lukanit, Katër Grykët, kësaj krahine malore që kufizohet me Matin e me Lurën. Shënimet i pajis me fotografi që ashtu të çojnë tek ideja se sa bukuri turistike ka vendi ynë. Në aspektin historik, autori jep të dhëna mbi Lukanin si vendbanim i hershëm ilir, duke u mbështetur në burime të sakta. Po ashtu kjo trevë ka qenë një bastion i Skënderbeut në luftën kundër pushtimit osman. Këtë e dëshmon toponomastika, legjendat dhe gojëdhënat. Në këtë krahinë u pritën miq e udhëtarë, bujtën personalitete të kombit tonë si Abdyl Frashëri, Iliaz Pashë Dibra, Elez Isufi etj. Një faqe e ndritur në historinë e Lukanit dhe Katër Grykëve është lufta për mbrojtjen e trojeve shqiptare më 1912, kur dhanë jetën për mbrojtjen e Shkodrës 114 dibranë. Prijësit e kësaj lufte, Elez Isufi, Hoxhë Buci përshkruhen nga autori me veneracion të veçantë. Autori evidenton veçmas dy figura të spikatura si Islam Bruçi dhe Hoxhë Buçi, të cilët u nisën nga një luftë në tjetrën, duke i urdhëruar vetëm shpirti liridashës. Figura e Dine Hoxhës, këtij diplomati e njeriu të zgjuar, i kushtohet një vëmendje e posaçme në libër duke e matur atë me të dhënën sesa jeton edhe sot fjala e tij në odat dibrane, për të treguar se ky popull nderon heronj e dijetarë, duke i vënë në një balancë sipërore të adhurimit të merituar. Duke ndjekur parimin e informimit të saktë me data e emra, burime të informimit, autori nuk bën komente sepse ai ka stofin e historianit. Shkrimi i librit mbi një histori luftërash, njerëzish dhe personazhesh të rëndësishëm ose jo, do të ishte i mangët nëse autori nuk do ndalej në një faqe tjetër të jetës në këtë krahinë, e cila është po aq e rëndësishme, duke përbërë një faqe krenarie dhe të shënuar si kujtesë që ia vlen ta përmendësh: arsimi dhe kultura. Janë dhjetëra arsimtarë që edukuan breza të tërë, prej të cilëve dolën inxhinierë, agronomë të zotë, ekonomistë, njerëz të talentuar, të cilët punuan në katër cepat e atdheut. Përshkrimi i jetës dhe veprës së personaliteteve të kulturës i përmbahet fort idesë të qenësishme se jo vetëm pushka është emblemë tradicionale, por edhe libri, ndoshta më shumë se çdo gjë. Era e re e demokracisë solli edhe në Lukan mjaft ndryshime, së pari në mentalitet. Pa ndonjë propagandë rrumbullakosëse sot, në shumë zona të malësisë, gjen tregues ekonomikë, mjerisht josocialë dhe kulturorë, të pakrahasueshme me një kohë të afërt. Historiani Faik Bruçi e pajis librin me një numër fotografish me ngjyra, duke sjellë një pasurim të mëtejshëm të fjalës së shkruar. Fotografitë fokusojnë peizazhe, kulla, male, njerëz, dëshmi etnografike, fetare, objekte kulti, objekte të historisë e arkeologjisë. Duke përbërë një album më vete, ato ndërthurin historinë me aktualitetin. Me një stil të thjeshtë, rrëmbyes, larg emfazës dhe patetizmit të panevojshëm, leximi bëhet i këndshëm, nga autenciteti i faktit, përcjellja e kumteve njerëzore, duke shpërfaqur një mesazh domethënës për brezat që do vijnë: në kohën e shpërqendrimit të madh të emigracionit, të problemeve të ndryshme, është e nevojshme të ndalemi pak. Të kujtojmë nga vijmë, për të bërë disa balanca jetësore, të cilat kanë të bëjnë me bërthamën tonë të hershme, vendlindjen. Ajo edhe pa ne do ta gjejë veten, po ne çfarë po bëjmë për të?...
#