E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsumatorët, formular on line për ankesat

16/03/2010 Nisma

Një formular tip do të shërbejë që të paraqisni ankesën tuaj ndaj administratës publike, por edhe ndaj shërbimit që ju ka ofruar një kompani private. Nisma është e Ministrisë së Ekonomisë, e cila kërkon t’i vijë në ndihmë konsumatorit, me qëllim për ta mbrojtur atë dhe formulari do të jetë online në internet, në faqen e Ministrisë së Tregtisë, lajm ky i bërë publik nga ministri Dritan Prifti. Formulari do të përmbajë pyetje të ndryshme për të evidentuar problematikën dhe më pas ankesat e tyre parashikohet të marrin zgjidhje. Sipas Priftit, nuk ka kulturë ankimimi mes administratës dhe konsumatorit. “Që nga koha që unë jam emëruar ministër e deri tani, kam krijuar një hapësirë të nevojshme në internet, pyetje për ministrin. Por gjatë gjithë kësaj kohe, dy ankesa në muaj më vijnë”, tha Prifti. Por efektiviteti i nismës së formularit mbetet për t’u parë, pasi konsumatorët nuk shfaqin besim në zgjidhjen e problemeve. Administrata publike numëron gjithsej 40 inspektorate, të cilat merren me mbikëqyrjen e tregut, por puna e tyre nuk është efiçente. Prifti ka paralajmëruar reformë të thellë në këtë drejtim duke reduktuar deri në 15 numrin e këtyre inspektorateve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›