E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarja 114 vjeçe merr soxhornon

16/03/2010 Feride Hyka, gruaja më e vjetër në Evropë bëhet emigrante e rregullt në Itali

Gruaja nga Kavaja banon në Itali prej 18 vitesh dhe ka 80 nipër e mbesa

PERUXHIA- Gruaja më e vjetër në Evropë, shqiptarja Feride Hyka, e cila jeton në Itali, më në fund arriti të merrte soxhornon, ndonëse kishte 18 vjet që banonte atje. Lajmi bëri bujë në mediat italiane, të cilat njoftuan se Feride Hyka, 114 vjeçe është një qytetare shqiptare që jeton në Itali nga viti 1992, por vetëm tani, pas dy vitesh pritje arriti të marrë soxhornon (lejen e qëndrimit). Ky dokument do t’i shërbejë supergjyshes për të përfituar nga shërbimet sociale të asistencës për invalidët e të moshuarit e komunës Giano në Umbria (në provincën e Peruxhias), ku ajo banon bashkë me pjesën tjetër të familjes. Mediat italiane shkruajnë se zonja Feride është një gjyshe e jashtëzakonshme sepse këtë vit ajo ka festuar 114 vjetorin e saj, atje në fraksionin e Bastardos ku jeton e veshur me hijab (shamia e saj e bardhë, rutiment i fëmijërisë që pati kaluar në Luzin e Vogël të Kavajës, por që jo detyrimisht është traditë e ndjekur nga të moshuarat e ditëve të sotme që jetojnë në Shqipëri). Bashkë me të jetojnë 9 nga dhjetë fëmijët që ajo ka, të cilët drejtojnë një kompani ndërtimi. Atje ndodhen edhe 30 nipërit e mbesat e saj, nga 80 që ajo ka gjithsej. Supergjyshja është gruaja që klasifikohet e katërta në botë për nga jetëgjatësia, teksa aktualisht ajo mban vendin e parë si femra më e vjetër në Evropë. Duke iu referuar kushteve në të cilat ajo ndodhet, të afërmit i janë drejtuar zyrës së shërbimeve për të moshuarit, me qëllim që ta regjistronin në këtë qendër përkujdesjeje, por për të arritur një gjë të tillë nevojitej soxhorno. Kështu, Feride Hyka merret si shembull i simbolit të përkujdesjes së autoriteteve italiane ndaj emigrantëve që jetojnë në vendin e tyre, duke mos bërë diferencime. Kjo stërgjyshe tipike shqiptare shndërrohet kështu nga një qytetare e thjeshtë, mbërritur nga Kavaja në Itali, në modelin e sakrificës njerëzore, pasi ajo mundi që të pajisej më në fund me leje qëndrimi, përveçse t’i rezistonte rrjedhës së ashpër të viteve. Tashmë gruaja më e vjetër në Evropë ka një motiv më tepër për të thyer edhe rekordin botëror, duke i shtuar edhe shumë pranvera jetës së saj që nisi si bebe e Luzit të Vogël të Kavajës e mesa duket do të përfundojë si emigrante e rregullt në Bastardo të Peruxhias në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›