E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Konsumatorët pesimistë për ekonominë, treguesi i besimit ra me 6.7% në mars

Indeksi i ndjesisë ekonomike, treguesi që mat besimin e konsumatorëve dhe bizneseve për ekonominë, rezultoi me rënie për të tretin muaj radhazi në mars. Në vrojtimin periodik të Bankës së Shqipërisë, ky tregues ra më tej me dy pikë përqindje.

Rënia e besimit në ekonomi gjatë periudhës janar – mars vërehet më shumë tek konsumatorët se sa tek bizneset.

Treguesi i besimit konsumator shënoi një rënie prej 6.7 pikë përqindjeje në muajin mars, niveli i dytë më i ulët historik pas atij të fillimit të pandemisë. 

Pesimizmi i konsumatorëve vërehet në të tre komponentët që formojnë treguesin e besimit tek qytetarët, pritshmëritë për blerjet e mëdha, situata financiare e pritshme e familjes si dhe situata e përgjithshme ekonomike.

Situata inflacioniste ka bërë që pritjet e konsumatorëve për çmimet e konsumit në të ardhmen të shënojnë rritje.

Ndërsa në segmentin e biznesit rënia e besimit prek vetëm një nga katër sektorët ku ai matet, besimin në tregti. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi i besimit ne sektorin e tregtisë ra me 1.5 pikë përqindje në muajin mars, diktuar kryesisht nga ecuria aktuale e bizneseve. 

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›