LSE zgjidhet nga BSH si bashkëpunëtor i jashtëm i saj në fushën shkencore

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, miratoi në mbledhjen e së mërkurës përzgjedhjen e London School of Economics (LSE) si bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Bankës së Shqipërisë.
Ky bashkëpunim do të synojë rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet politiko-ekonomike e financiare, si dhe mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore në këto aspekte. Analizat dhe diskutimet që do të dalin nga ky bashkëpunim do të shërbejnë për të vlerësuar përshtatshmërinë e politikave makroekonomike e financiare, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.
LSE renditet në 10 universitetet më të mira në botë në fushat e shkencës se ekonomisë dhe ekonometrisë, politika sociale dhe administrimi, dhe studimet e zhvillimit ekonomik. Përzgjedhja e LSE si bashkëpunëtor i jashtëm shkencor ka si qëllim organizimin e veprimtarive për studimin, analizimin dhe diskutimin e fenomeneve ekonomike e financiare që dominojnë zhvillimet në ekonominë tonë në aspektin rajonal dhe atë global.