E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni- investitorëve: Qeveria shqiptare do ju mbrojë nga burokracitë

Nga Armand Maho

Kryeministri italian, duke iu trembur sigurisht problemeve që mund të hasin investitorët italianë në vendin tonë, siç dhe ishte paralajmëruar në një shkrim të “Financial Times” para dy ditësh, kërkoi publikisht gjatë konferencës për shtyp që të mos ketë pengesa në punën që ata do bëjnë.

“Ashtu siç e theksoi dhe miku im, Sali, ne jemi miq prej shumë kohësh dhe bëjmë pjesë të dy në komunitetin e demokracisë dhe lirive evropiane, pra, të partive Demokratike Evropiane, ku bashkëpunojmë prej shumë kohësh. Pra, bashkëpunimi ynë vjen prej një kohe shumë të hershme dhe bazohet mbi identitetin e vlerave dhe parimeve dhe karakterizohet nga kontakte të shumta pune midis bashkëpunëtorëve tanë. Firmat italiane që sot firmosën këtu një sërë marrëveshjesh për realizimin e veprave që u bënë të njohura edhe në këtë konferencë, do të kenë gjithmonë mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe do të gjejnë një garanci për thjeshtëzimin e procedurave burokratike. E theksoj se, te të dy kryeministrat, tek unë dhe zoti Berisha, te qeveria shqiptare, autoritetet shqiptare, gjithmonë do të gjejnë një mundësi për lehtësimin e aktivitetit të tyre dhe thjeshtëzimin e burokracive dhe jo të ndodhë ashtu siç ndodh shpesh - dhe për këtë jemi dëshmitarë - me firma të ndryshme italiane, kur ato operojnë jashtë shtetit”, - u shpreh kryeministri italian.

“Njerëzit e përfshirë në projekte, megjithatë sugjerojnë se ata mund të përballen me shtyrje të shumta, paralajmërojnë për korrupsion dhe mungesë transparence në procedurat e aprovimit, përplasje për sa i përket pronësisë së tokës dhe rezistencë nga ambientalistët shqiptarë.

Një nga kompanitë e huaja të përfshira akuzon se zyrtarët shqiptarë i kanë kërkuar ryshfet, edhe pse Tirana insiston se ajo ndjek procedurat e Bashkimit Evropian”, - shkruante dy ditë më parë “Financial Times”.

“Mbështetje Shqipërisë për statusin e kandidatit”

“Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të jetë avokati i parë i Shqipërisë, në momentin që ajo do të vendosë të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian. Kjo është një politikë që unë personalisht e ndjek prej kohësh, do të vazhdoj ta ndjek, sepse besoj se të gjitha këto konfliktet etnike dhe konfliktet ndërkombëtare, që fatkeqësisht ende vazhdojnë këtu në zonën e Ballkanit, do të marrin fund njëherë e përgjithmonë vetëm me hyrjen e plotë të këtyre vendeve ballkanike në familjen e vendeve evropiane.”

“Berisha, pasi të fitojë zgjedhjet, lektor në Romë”

“Do të përfundoj fjalën time, duke i bërë një ftesë publike kryeministrit Berisha që, pasi të ketë fituar zgjedhjet e ardhshme këtu në Shqipëri, të marrë pjesë në leksionet javore pranë Universitetit të Demokracive dhe Lirisë që do të hapet në marsin e vitit të ardhshëm, në Itali. Shpreh bindjen se do të jetë një kënaqësi e vërtetë të dëgjojmë leksionin e tij, për të kuptuar më mirë se si një popull mund të kalojë nga diktatura e plotë drejt një demokracie të plotë.”

Liberalizimi i vizave, asnjë koment

“Pozicioni im në këtë drejtim është plotësisht pozitiv dhe kjo u shpreh edhe gjatë vizitës së fundit që pati në Shqipëri përfaqësuesi i qeverisë sime, ministri i Jashtëm, Franko Frattini.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›