Shpërblimi i natyrës
Më 28 Nëntor ishte 100-vjetori i lindjes së Claude Lèvi-Strauss. Të themi, data e lindjes së tij ishte një datë historike, është ekzagjerim, por vepra e tij është historike. Me sa duket natyra nuk ka qëndruar indiferente ndaj ndjenjës së fuqishme të dashurisë ndaj saj, që e ka karakterizuar dhe e ka shpërblyer duke e bërë që të gëzojë në gjendje pune 100 e më tepër, vite.
Antropologu Claude Lévi Strauss ka lindur më 28 nëntor 1908, në Bruksel, nga prindër francezë. Ka studiuar filozofi në Paris. Karrierën si antropolog e ka filluar në vitin 1934, kur ka filluar të japë lëndën e sociologjisë në San Paulo të Brazilit. Ai bëri dy ekspedita etnografike në Mato Grosso dhe në Amazonë. Pas Luftës II Botërore u bë profesor në Collége de France dhe botoi librat më të rëndësishëm, ndërmjet të tjerëve dhe “Tropikë të trishtuar” dhe “Mendimi i egër”.
Lèvi-Strauss në shkrimin e tij “Tropikë të trishtuar” sugjeron moskonsiderimin e udhëtimeve si spostim të thjeshtë në hapësirë. Sipas tij, një njeri që udhëton, ka shumë mundësi që të ndryshojë zakonet e tij. Me udhëtimin ndryshojnë njeriu, bota e tij personale, formimi i tij, ndërsa gjurmët e çdo udhëtimi mbesin në hapësira dhe vendet e shikuara. Sipas Lèvi-Strauss, një njollë e keqe e Perëndimit qëndron si shenjë e pafshishme mbi lëkurën e globit; një njollë shqetësuese që përhapet në mënyrë progresive, duke shënuar përhapjen historike të perimetrit të ardhmërisë e të antropocentrizmit të kësaj shoqërie.
Shkruan Lèvi-Strauss: “Një qytetërim proliferant dhe në fermentim prish përgjithmonë qetësinë e detit. Profumi i tropikëve dhe freskia e qenieve janë prishur nga një fermentim, era e rëndë e të cilit shkatërron dëshirat tona dhe na dënon që të kemi kujtime thuajse të këqija”. Nëpërmjet udhëtimit njeriu evropian ka shkatërruar rendin e harmoninë e kontinenteve, qytetërimeve e popujve, drejt të cilëve është manifestuar paaftësia e tij për të respektuar, sensi i indiferencës përballë njerëzimit, nevoja e tij egoiste për imperializëm. E para gjë që na demonstroni, o udhëtime, është ndyrësia jonë e hedhur në fytyrën e njerëzimit. Fiset që jetojnë në linjën tropikale janë njollosur nga kontakti tragjik me të bardhët. Persekutimi, shfrytëzimi, epidemitë i kanë zvogëluar dhjetë herë, duke bërë që të mbijetojnë një grup të mjerësh të përdalë. Tregimet e udhëtimeve, të mbrojtur me trama persuazive të vetekzotizmit, kanë ofruar iluzionin e asaj që nuk është më: një botë e paprekur dhe e pastër, me njerëz të lirë dhe të respektuar. Iluzioni i udhëtimit është mbyllur këtu; mendohej se po importohej “lulja delikate”, simbol i një sëre të pafund të mbrojtur nga xhami transparent i historisë, ndërsa eksportohej vetëm arroganca e Perëndimit, mbeturinat e infektuara të qytetërimit industrial, patogjen, miop, arrogant; njerëzimi i kristalizuar në “monokulturë”- produkti i shoqërisë së masës.”
“Do të dëshiroja të kisha jetuar në kohën e udhëtimeve të vërteta, kur ofronin në shkëlqesinë e tyre një spektakël akoma të panjollosur, të pakontaminuar, të pamallkuar”.
Duke u kthyer mbrapsht, do të kishte qenë i mundur perceptimi i domethënieve dhe njohja e kostumeve të qytetërimeve të pakontaminuara. Domethënie të tilla do të kishin përbuzur reflektimin antropologjik të shekullit. Bëhet e padallueshme alternativa ndërmjet një udhëtari antik, i ndodhur para kulturave, për të pak të kuptueshme, e një udhëtari modern, i pajisur me instrumente konceptuale që i shërbejnë për të zbuluar një botë që nuk është më.
Në komunikimin ndërmjet tyre, kulturat njerëzore kanë ditur të shkatërrohen reciprokisht. Duke evituar çdo kontakt ndërmjet kulturave, sensi i diferencës e perceptimi i pasurisë semantike kompaktohen, duke lënë çdo qytetërim në rrethin e mbyllur të vetëmjaftueshmërisë sterile.
Sipas Lèvi-Strauss, shoqëria sature (e plotë) e Perëndimit ka zgjidhur çdo alternativë. Kompleksiteti i saj, gjigantizmin demografik, hapësira, e perceptuar si limit i ekspansionit të tregjeve, në vend të kulturave, kanë bërë të ligjshëm atë agresion. Sipas tij, shoqëritë indigjene janë sulmuar dhe boshatisur: jo njohur, zbuluar. Ideologjia, nga e cila është frymëzuar bota perëndimore, ka manifestuar një impakt për shkatërrimin, duke u justifikuar dhe maskuar me “liberalizmin modern” - që sipas Lèvi-Strauss - është një armë ideologjike e oligarkive kundër fuqisë personale. Lèvi-Strauss ka mendimin se, në altarin e progresit janë bërë shumë sakrifica njerëzore dhe janë interpretuar në mënyra të ndryshme. Injoranca i ka bërë disa, që të thonë se ka qenë më mirë që janë bërë njerëz skllevër sesa kafshë të lira. Disa të tjerë, të pazotët që të gjejnë njerëzimin te vetja e tyre, kanë mohuar njerëzimin e këtyre tribuve që i mbijetuan barbarisë, skllavërisë dhe presionit demografik. Ka patur një ekspansion të shoqërisë, tërë bota është konsideruar si një treg i pafund. Perëndimi ka prodhuar etnografët, sepse e shqetësonte një brengë që e detyronte të krahasonte imazhin e saj me atë të shoqërive të ndryshme, me shpresën që në to të shikonin të reflektuar të njëjtat defekte ose në shpresën për të patur një ndihmë për të kuptuar të sajat.
Në mbyllje të librit “Tropikë të trishtuar” Lèvi-Strauss duhet të bërtasë: “Lamtumirë të egër!” “Lamtumirë udhëtime!”
*Pedagog pranë universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës