E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektet me Italinë, Shqipëria do blejë energji prej tyre

Nga Fitim Zekthi

Dy projekte me një vlerë prej më shumë se dy miliardë eurosh u nënshkruan dje nga qeveria shqiptare me përfaqësues italianë. Projektet, të cilat konsistojnë kryesisht në prodhimin e energjisë, edhe pse janë më të mëdhatë të para ndonjëherë në vendin tonë dhe prekin një çështje shumë të rëndësishme, siç është ambienti, u shfaqën krejt papritur ditën e djeshme në tryezën e nënshkrimit, gjatë një vizite të kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. Kështu, dje, qeveria shqiptare nënshkroi 6 marrëveshje e akte bashkëpunimi me qeverinë italiane, si dhe me disa kompani italiane. Ministri i Ekonomisë, Energjitikës dhe Tregtisë, Genc Ruli dhe Drejtori Ekzekutiv i Grupit “Falcione”, Edmondo Falcione, firmosën lejen e ndërtimit për realizimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit.

Gjithashtu, ministri i Ekonomisë, Energjitikës dhe Tregtisë, Genc Ruli dhe presidenti i Grupit “Moncada Costruzioni”, Salvatore Moncada, nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për realizimin e një impianti eolik në jug dhe juglindje të Vlorës dhe e linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar.

Përveç këtyre projekteve madhore, u nënshkrua dhe një marrëveshje për një tjetër fabrikë çimentoje në vendin tonë. Kjo është një tjetër fabrikë që pritet të ndërtohet në një nga zonat e ultësirës shqiptare. Kështu, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe Drejtori Ekzekutiv i “Colacem”, Dr. Colaiacovo, firmosën Deklaratën e Përbashkët për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldre të Lezhës.

Përveç kësaj, dje italianët morën dhe të drejtën e ndërtimit të një segmenti rrugor, pikërisht të atij Levan-Dames nga “Todini Costruzioni Generali”.

Por Qeveria shqiptare nuk ka sqaruar dje se çfarë do të përfitojë Shqipëria nga marrëveshjet e nënshkruara. Edhe pse bëhet fjalë për projekte miliarda dollarësh, qeveria nuk ka bërë aspak transparencë mbi to, por është shfaqur ditën e fundit me firmën mbi to. E si zakonisht, përfaqësuesit e qeverisë kanë folur për mediat, kryesisht të huajat në lidhje me projektet. Kështu, këshilltarja e Berishës, Suzana Guxholli, ka sqaruar se Shqipëria do të blejë energji me çmime të ulura nga këto impiante që do ndërtohen, ndërsa pjesa tjetër e produktit do të dërgohet në Itali përmes kabllos nënujore. Ajo i ka bërë sqarimet për Associated Press. Guxholli tha se projektet do mbarohen për katër-pesë vjet. Sipas saj, ekziston mundësia që Shqipëria të shesë energjinë e shtrenjtë që përfitohet nga era dhe të blejë energji më të lirë nga të tjera burime prodhimi.

Por ka ngelur pa sqarim fakti se pse gazi do merret nga Afrika Veriore dhe do të sillet në Shqipëri, e më pas do shkojë në Itali, kur kjo e fundit ka kufij më të afërt me këtë kontinent.

Por një projekt tjetër po kaq i diskutueshëm është ai i ndërtimit të një të ashtuquajture fermë të energjisë me erë, që konsiston në ngritjen e 250 turbinave me një lartësi prej 120 metrash në zonën e gjirit të Vlorës, duke zaptuar mijëra e mijëra metra e duke shkaktuar probleme shumë të mëdha për turizmin në këtë zonë të rivierës shqiptare.

Berisha: Priten dhe 3 miliardë euro investime italiane

Kryeministri, Sali Berisha, i cili zgjodhi të komunikojë italisht në konferencën e djeshme, tha se priten dhe 3 miliardë euro investime nga italianët. “Takimi i sotëm më jep një kënaqësi të madhe, sepse para syve tuaj, të shqiptarëve dhe italianëve, firmosëm marrëveshje që kapin shumën e 2 miliardë eurove, por, siç i thashë mikut tim Berluskoni, marrëveshje të tjera me një shumë prej 3 miliardë eurosh do të firmosen së shpejti me firma të tjera italiane, që sigurisht do t’i hapin rrugë investimeve të reja”, - tha Berisha.

“Tre vjet më parë, zhvillova në Itali një takim me sipërmarrës italianë, i organizuar nga Instituti i Tregtisë së Jashtme. U prezantova para tyre me një ndjenjë të thellë hidhërimi në zemër, sepse e dija që me mijëra prej tyre ishin larguar nga vendi im dhe, kur një investitor lë investimet e tij dhe largohet nga vendi, kjo është e dëmshme për gjithë vendin. U zotova para tyre se do të bëja gjithçka për ta bërë vendin tim sa më tërheqës e miqësor për investitorët, në mënyrë që projektet e tyre të ishin një histori suksesi në Shqipëri. Dhe kjo ditë erdhi.”

Kryeministri Berisha tha se Shqipëria është e vendosur dhe për prodhimin e energjisë bërthamore me Italinë. “Në vizionin tim, Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi e vogël energjitike në Ballkan. Ne kemi mbi 20 miliardë kilovat/orë energji për t’u shfrytëzuar, kemi një potencial të jashtëzakonshëm eolik, pra, të energjisë me erë, kemi licencuar prodhimin e më shumë se 1 mijë megavateve të energjisë eolike, por ekzistojnë kapacitete për prodhimin e 4 mijë megavateve të tjera në këtë sektor. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me prodhimin e energjisë bërthamore dhe tek Italia unë shikoj partnerin e parë për të bashkëpunuar në këtë sektor”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›