Konsumi i energjisë në rënie, burimet alternative dhe importi kompensojnë nevojat për energji

Pas një ecurie pozitive në dy tremujorët e parë të vitit, konsumi i energjisë elektrike gjatë tremujorit të tretë shënoi rënie. Të dhënat e bilancit të energjisë të publikuara nga INSTAT tregojnë se sasia e energjisë në dispozicion u ul me 1,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vrojtimi i Institutit të Statistikave konstaton një rënie të prodhimit vendas, nga 1.565 GWh në 1.075 GWh, çka reflekton varësinë e sistemit ndaj kushtet hidrike.
Kjo situatë është shoqëruar edhe me një tkurrje të prodhimit nga hidrocentralet private dhe koncesionare me rreth 39%.
Megjithatë, për të kompensuar mungesën e energjisë së prodhuar nga hidrocentralet, prodhuesit e tjerë vendas, si impiantet fotovoltaike, impiantet me naftë dhe burime alternative, kanë rritur prodhimin me 68%. Pavarësisht rritjes së fortë, ajo nuk ka mjaftuar për të mbuluar nevojat e tregut të brendshëm.
Për rrjedhojë, vendi është mbështetur ndjeshëm te importet, të cilat janë rritur me 65% në këtë periudhë, duke u bërë burim kryesor për të garantuar furnizimin.
Edhe struktura e konsumit reflekton ndryshime: konsumi familjar ka shënuar një rritje të lehtë, ndërsa ai jo familjar, përfshirë industrinë dhe shërbimet, ka pësuar rënie.
Në tërësi, bilanci i tremujorit të tretë tregon një zvogëlim të disponueshmërisë së energjisë elektrike në vend, i diktuar kryesisht nga sezonaliteti i prurjeve ujore dhe nga luhatjet në prodhimin vendas.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/