Konte: Na mbytën spiunët e rivalëve

Trajneri i Juventusit Antonio Konte ka vënë rregulla të forta në lidhje me stërvitjet e skuadrës së tij. Ai nuk lejon askënd t’i afrohet skuadrës, sidomos kur personat që vijnë rrotull nuk janë pjesë e “Zonjës së Vjetër” apo dhe më keq akoma kur ata janë personazhe të klubeve rivale.
Shkaqet duhen gjetur te fakti se Juventusi spiunohet nga klubet e tjera italiane në lidhje me informacionin mbi futbollistët, gjendjen e tyre dhe natyrisht edhe nga lëvizjet teknike e taktike që mund të bëjë stafi teknik. Për të evituar të gjitha këto, Konte ka marrë masat e duhura që programi stërvitor i Juventusit të jetë i mbyllur në të gjitha drejtimet.
Fillimisht lejohen kamerat dhe gazetarët të bëjnë punën e tyre dhe sapo përfundon takimi gjithçka në kompleksin ku ndodhet ekipi mbyllet. Asnjë e dhënë sipas Kontes nuk duhet të shkojë te “armiqtë” e Milanos që janë Milani dhe Interi, e as te “armiqtë” e jugut, që janë Roma, Lacio e Napoli./indeksonline/