E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu dhe Kukësi më të varfërat e Europës

Dy skuadrat shqiptare Kukësi e Skënderbeu që luajnë në fazën e “play-off”-it në Europa League, kanë një koeficient mjaft të ulët vlerësimi për të pasur sukses dhe kjo bazohet në një sërë faktorësh, por kryesisht nga renditja e klubeve tona në ranglistën e UEFA-s, të bazuar në nivelin cilësor të lojës, ecurinë në kampionat e mbi të gjitha me vlerën e kartonëve të lojtarëve, që për kushtet e kampionatit tonë janë shumë të “lirë”.

Janë pikërisht këta tregues orientues që bëjnë që skuadrat tona të jenë teorikisht mjaft të dobëta dhe ajo që i vë vulën gjithë vlerësimit të dobët për skuadrat tona është niveli skandaloz i futbollit shqiptar, konkretisht i kampionatit shqiptar të Superligës, që renditet i 47-ti në Europë nga 53 shtete gjithsej. Kemi lënë pas për nga cilësia vetëm futbollin e disa mikroshteteve si Ishujt Faroe, San Mariono, Lihtenshtejni etj, ku na e ka kaluar së fundmi dhe Luksemburgu.

Duke u kthyer tek dy klubet tona që garojnë në Europa League, janë momentalisht skuadrat tona më të kompletuara në kampionatin shqiptar , jo vetëm nga përbërja e mirë e cilësore me elementë, por edhe nga financat e shëndosha për kushtet ku operon futbolli ynë, diktuar dhe nga niveli i mirë i financimit dhe korrektesës së presidencave respektive.

Kukësi ka një vlerë që shkon në disa qindra mijëra euro (në fakt nuk ka një studim të mirëfilltë për vlerën e klubeve tona dhe të dhënat janë apriori të dala ose nga mediat ose nga vetë të dhënat e bashkive përkatëse), ndërkohë që Trabzonspori, skuadra turke që do të përballet me Kukësin tonë në “Qemal Stafa” ditën e enjte, kushton mbi 40 milionë euro, që e bën këtë ekip 80 herë më të pasur se ekipi shqiptar. Një diferencë e tillë në vlerë tregon qartë se çfarë cilësie ka skuadra turke krahasuar me skuadrën shqiptare.

Skuadrat ukrainase kanë pasur një shpërthim të fortë gjatë këtyre viteve në kompeticionet europiane. Në Europa League, pikërisht në “play-off”, është dhe Çernomoriets Odesa, skuadër e cila luan përballë Skënderbeut tonë. Me ekipin ukrainas luajë dhe lojtarët shqiptarë Kristi Vangjeli e Elis Bakaj. Duhet thënë se skuadra ukrainase ka një buxhet që shkon më shumë se 20 milionë euro dhe diferencat me ekipin tonë kampion janë vërtet të ndjeshme. Skënderbeu pretendon se ka derdhur afro 1 miliard lekë të vjetra për të formatuar klubin në një sezon , por një shifër e tillë është sa për një ose dy futbollistë cilësorë te skuadra e Odesës. Me pak fjalë, diferencat mes skuadrave tona dhe atyre rivale në Europa League, pikërisht në planin financiar janë vërtet të mëdha./indeksonline/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›