Jano, kthim pas 20 vjetësh në shtëpinë e arkitekturës

Agron Jano
Ekspozitë në galerinë më të rëndësishme të Comos.
Shumica e vizatimeve janë realizuar gjatë viteve të qëndrimit në Itali, 91-94
Përpara se të nisej, të gjithë miqtë i thanë se po shkonte në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Por tashmë nuk kishte më kthim mbrapa. Do të kthehej në vendin që e mirëpriti 20 vjet më parë. Rrugët, sheshet, ndërtesat, qemerët e gurtë, liqeni, zotërit e Duomos…, gjithçka që lidhet me atë vend, do të jetonte e pacenuar në mendjen dhe shpirtin e tij artistik. Nga data 14-25 korrik, në Spazio Broletto, Piazza Duomo, në Como të Italisë, arkitekti dhe piktori Agron Jano hapi ekspozitën e tij personale me vizatime e piktura me mbështetjen e Bashkisë së Comos. Ishin 56 vepra, më së shumti mbi arkitekturën dhe natyrën italiane, që iu paraqitën publikut të Comos, i cili për çudinë e të gjithëve mbushi sallën e ekspozitave përgjatë 10-ditëshit që ajo ishte e hapur. Tashmë që është kthyer në Tiranë, Jano thotë se bëri shumë mirë që i besoi intuitës së tij. Rikthimi në të njëjtat sheshe e rrugë, ku ai kaloi 4 vite, menjëherë pas rënies së diktaturës, ishte një magji më vete, kurse ekspozita i rezervoi të tjera surpriza. Takoi miq të vjetër e të rinj, kritikë arti e arkitektë, të cilët nuk i kursyen fjalët e mira, siç takoi edhe studentë e njerëz të thjeshtë, që admiruan bukuritë e qytetit të tyre e të rrethinave përreth, përmes linjave të hedhura në letër a tablo nga Agron Jano.
Kujtime italiane

Disa nga vizatimet e ekspozuara në Spazio Broletto në Como të Italisë nga 14 deri më 25 korrik
Në këtë ekspozitë, rikthimi në një nga hapësirat më prestigjioze të artit në Como, ku qarkullojnë emra të mëdhenj të artit bashkëkohor botëror e ku përzgjedhja bëhet vetëm me konkurs, Agron Jano paraqiti 56 punë. Ishin 48 vizatime e 8 piktura, të cilat Jano i ndan në dy periudha kohore. Një pjesë janë realizuar gjatë viteve 1991-1994, gjatë periudhës së qëndrimit në Itali dhe pjesa tjetër gjatë viteve 2010-2012. Sheshe, katedrale që shpojnë qiejt, ndërtesa karakteristike shekullore, varka mes valësh, portrete… të realizuara në zonën e Lombardisë Brianza, në Como, Milano, Cantu, Canzo, Cuçiago, Inverigo, San Fedele, Erba, por edhe në Francë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë punë të realizuara me të shpejtë, me vrull, brenda 2 minutave e gjysmë, prej tavolinës së një kafeneje, nga ballkoni i një ndërtese, në metro…, thotë Jano, duke na zbuluar një lidhje të veçantë që ai ka me Italinë. Nga viti 1991-1994 mu dha mundësia të shkoja në Itali përmes një burse për arkitekturë. Ndërsa studioja nisa të vizatoja gjithçka që shihja. Për mua ishin vite të arta. Vija nga një tjetër sistem, i mbyllur, nga apartamentet një dhomë e një kuzhinë dhe divanet e Kavajës. Kur shkova atje mu duk sikur kapa qiellin me dorë, kështu tregon Agron Jano, teksa tregon se si nisi të vizatonte e të shiste punët e tij, të cilat pëlqeheshin shumë. Sigurisht, ai nuk e ka harruar punën e parë dhe blerësin e parë, që do ti jepte bekimin, në rrugën që i hapej përpara. Një pjesë të punëve të tij më të mira, Agron Jano i ka ruajtur dhe i ekspozoi sërish në Como pas 20 vjetësh. U çudita kur mësova se punët e mia riprodhoheshin në Como prej 20 vjetësh. Një studente mu qas e më kërkoi një autograf, pasi kishte një faqe muri me punët e mia. Më njohu vetëm nga firma, pasi në vitet kur unë kam jetuar në Como, ajo ka qenë fare fëmijë. Imagjinoni se çfarë kënaqësie!.
Pritja e publikut

Agron Jano me kritikun e artit, Fabio Reinhard dhe arkitektin Carlo Terragni
Përkundër asaj që i kishin thënë, se nëse do të numëronte 20 vizitorë në ekspozitën e tij duhej të ishte i nderuar, Agron Jano tërhoqi me punët e tij shumë më shumë se kaq. Ai tregon se kishte shumë turistë, të cilët vizitonin atë hapësirë prestigjioze arti, por edhe shumë vendës, të cilët kishin shumë vite pa u futur në këtë galeri. Pa dyshim nuk munguan kritikët e artit e të arkitekturës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Fabio e Maria Reinhard, Carlo Terragni etj. Ekspozita nuk i shpëtoi as vëmendjes së mediave, të cilat rezervuan në faqet e tyre një hapësirë edhe për arkitektin e piktorin shqiptar. Pa dashur të rrahë shumë gjoksin për suksesin e ekspozitës së tij, në një vend të ftohtë si Como, Jano të lë përpara librin e përshtypjeve, ku vizitorët italianë kanë lënë mbresat nga kjo ekspozitë. Vizatimet janë bërë me kujdes dhe delikatesë, shprehin dhe japin emocion, shkruan dikush. Nga këto vizatime të bukura, po më ndërron mendja e po i them tim shoqi të transferohemi në Como, shkruan Maria Reinhard. Como duket më e bukur në vizatimet tuaja, shkruan një vizitor. E kështu me radhë… Edhe pse gjatë këtyre 20 viteve nuk e ka ndarë bashkëpunimin me kolegët italianë, ekspozita e Comos i hapi dyert për 4 ekspozita të tjera, që do të hapen së shpejti.
Mes arkitekturës dhe pikturës
Agron Jano ka lindur në Fier, në vitin 1954. Është diplomuar si arkitekt në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Krahas aktivitetit projektues si arkitekt objektesh të rëndësishme dhe panairesh në Shqipëri, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Portugali e Kosovë, ka marrë pjesë edhe në konkurse ndërkombëtare siç janë: Katedralja Ortodokse e Tiranës (2001), vlerësuar me çmimin e dytë; Studimi Urbanistik i Qendrës së Durrësit (2005), vlerësuar gjithashtu me çmimin e dytë; Parlamenti i Shqipërisë (në bashkëpunim me ark. Mario Campi dhe ark. Fabio Reinhart (2007), vlerësuar me çmimin e parë. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (2001-2008). Prej 1978 deri sot është pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit UFO. Ka hapur ekspozita vetjake me vizatime e piktura në Como, Itali (1992-1994 dhe ka marrë pjesë në ekspozita në grup me piktorët K. Dilo, S. Kamberi, P. Çuli, Z. Kamberaj, I. Xhokaxhi, M. Lino, A. Golemi, A. Cene, R. Mato, në galerinë Te&Ge (1997). Dy vjet më parë hapi një ekspozitë personale në Muzeun Historik Kombëtar.
ALMA MILE