E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontestohen zgjedhjet, të enjten përgjigjet për ankesat

Zgjedhjet në Kosovë janë kontestuar nga shumica e partive. Vetëvendosja nuk njeh rezultatin, LDK nuk njeh 6 komuna

Partitë politike në Kosovë kanë nisur kontestimin e zgjedhjeve, në pritje të shqyrtimit të ankesave të tyre nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka nisur shqyrtimin 171 ankesa, që i kanë arritur nga subjektet politike, të cilat pretendojnë se ka pasur parregullsi në procesin zgjedhor. Kreu i këtij paneli, Shukri Sulejmani, thotë se nga ajo që ka parë deri më tani, disa prej ankesave janë mjaft serioze, njofton KTV. 

Kreu i PZAK-së nuk dëshiron të flasë se deri në çfarë shkalle janë serioze këto ankesa dhe nëse për ato paneli do të marrë vendim për anulimin dhe përsëritjen e votimeve në ndonjë lokalitet. Sipas Shukri Sulejmanit, dje nuk do të merrej asnjë vendim, pasi paneli pret afatin prej 72 orësh, pra deri të enjten në orën 19, për të publikuar të gjitha vendimet.
Në rast se subjektet politike nuk do të pajtohen me vendimet e Panelit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa ato mund të ankohen në shkallën e dytë në Gjykatën Supreme, e cila po ashtu ka afat 72 orë kohë për të marrë vendim. 

LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i njeh rezultatet preliminare të dhëna nga KQZ-ja. Kreu i saj, Isa Mustafa, ka thënë se ky institucion është radhitur në anën e PDK-së, me rezultatet që i publikoi mbrëmë, duke i futur edhe qendrat e votimit të Skënderajt dhe Drenasit. 
Duke u shprehur i shqetësuar me manipulimet e votave, Mustafa deklaroi se nuk do të lejojë që manipuluesit të qeverisin Kosovën, ngase, sipas tij, ata do të manipulojnë edhe me të drejtat e qytetarëve dhe pronat e Kosovës. Madje, i pari i LDK-së, akuzoi Hashim Thaçin se shkeli rregulloret elektorale dhe rrezikoi sigurinë e qytetarëve, duke e shpallur fitoren me vota të manipuluara. 
LDK-ja kontestoi rezultatet në 6 komuna: Malishevë, Shtime, Mitrovicë, Prizren, Skenderaj e Drenas. Ai deklaroi se i janë vjedhur 50 mijë vota nga PDK-ja. Megjithëse, LDK-ja do të presë vendimin e PZAP-it dhe atë të KQZ-së, Mustafa tha se ka shikuar edhe mundësinë që ai vetë ta krijojë qeverinë, pasi që një gjë të tillë ia lejon Kushtetuta.

Vetëvendosje

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një konferencë për medie të mbajtur në orët e mbrëmjes, ka bërë me dije se rezultatet e zgjedhjeve të shpallura nga KQZ-ja, janë të papranueshme dhe si të tilla, i ka kontestuar jo vetëm në dy qytet të rajonit të Drenicës, por në tërë Kosovën.

“Zgjedhjet e mbajtura të dielën nuk ishin aspak demokratike dhe të ndershme, dhe si të tilla, janë të papranueshme”, - ka thënë Kurti, duke shtuar se një rezultat i tillë vjen si pasojë e ndikimit të regjimit.

Ai ka shtuar se nga manipulimet që janë bërë në tërë Kosovën, Lëvizja “Vetëvendosje” është dëmtuar dukshëm në përqindje, por megjithatë ka shtuar se “Vetëvendosje” është më e fuqishme se kurrë.

AKR

Koalicioni për Kosovë të Re, i prirë nga Aleanca Kosova e Re (AKR), përmes një deklarate për media, falënderon popullin e Kosovës, përkatësisht votuesit, për dalje më të madhe në votime sesa viteve të fundit dhe konsideron se kjo është shprehje e disponimit gjithnjë e më të madh se Kosovës i nevojitet kthesë në zhvillimin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe përmirësim të qeverisjes.

“Koalicioni konsideron se fushata zgjedhore, ndonëse e shkurtër, ka mundësuar që subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, të shpalosin ofertën e tyre para zgjedhëseve. Programi zgjedhor i koalicionit, i prezantuar para zgjedhësve dhe i publikuar në shtypin ditor e pastaj i prezantuar dhe shtjelluar në mënyrë cilësore nga përfaqësuesit tonë në debatet televizive, ka ofruar një ofertë shumë serioze dhe adekuate për proceset e tanishme në vend. Ai është pritur mirë nga votuesit dhe opinioni dhe paraqet një udhërrëfim edhe për punën tonë në vazhdim në institucionet e Kosovës dhe më gjerë.

Sa i përket vetë procesit zgjedhor, ne tani kemi shprehur brengat serioze lidhur me lëshimet teknike si mungesa e fotografive në librin e zgjedhësve që nënshkruhet, mosfunksionimin e elementëve verifikuese - llambat dhe ngjyra gjë që ka hapur mundësinë për votime të shumëfishta dhe për personat që nuk kanë qenë fizikisht në Kosovë ose tanimë janë të vdekur”.

FER

Partia Fryma e Re ka reaguar ndaj rezultateve preliminare të zgjedhjeve për shkak të keqpërdorimeve dhe manipulimeve anembanë Kosovës. Këto zgjedhje dhe institucionet që dalin nga to janë jolegjitime. 
FER nuk i pranon rezultatet preliminare të paraqitura nga KQZ ja, thuhet në reagimin e kësaj partie, të formuar kohë më parë dhe që për herë të parë hyri në garë për pushtet. Gjatë ditës së zgjedhjeve, FER-i thotë se aktivistët e saj kanë qenë dëshmitarë të manipulimeve të votës së lirë anembanë Kosovës me raste nga më të ndryshmet, si p.sh.: presioni i vazhdueshëm nga përfaqësues të PDK së në votues gjatë shënimit të votës; shitje të votave jashtë vendvotimit për 20 euro në Mitrovicë; kërcënim fizik nga përfaqësues të PDK së ndaj vëzhgueses tonë, duke mos e lejuar mbushjen e ankesës për parregullsi në vendvotim; sjellje e votave shtesë në vendvotime nga persona të dyshimtë; ardhja e kutive me shifër të njëjtë nga Drenasi në QNR; vijimi i votimit, përkundër daljes nga vendvotimi të personit përgjegjës për detektimin e gishtërinjve; vijimi i votimit përkundër mosfunksionimit të detektorit gjatë tërë ditës së votimit; mosdetektimi i sprejit në gisht nga detektorët që kinse kanë qenë në funksion. 
Të gjitha këto e shumë raste të tjera të parregullsive gjatë ditës së zgjedhjeve Partia Fryma e Re i ka paraqitur pranë PZAP së bashkë me dëshmitë adekuate. FER-i beson se këto dhe shumë shkelje të tjera, të raportuara anembanë Kosovës nga ky subjekt dhe subjektet e tjera partiake, bashkë me manipulimet tashmë të padiskutueshme në Skenderaj e Drenas, ndikojnë substancialisht në rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe bëjnë që zgjedhjet të jenë përfundimisht jolegjitime. Për këtë arsye, edhe institucionet e dala nga këto zgjedhje nuk mund të jenë institucione legjitime, thuhet në reagimin e FER-it.

Brukseli: Të zbardhen parregullsitë

Përkundër vlerësimeve për zgjedhje "përgjithësisht të qeta dhe të rregullta" në Kosovë, nga ana e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton dhe komesionerit për zgjerimin, Stefan Fule, nga Brukseli arrijnë edhe njoftime për mashtrime të mundshme në dy qendra komunale votimi. Duke uruar qytetarët e Kosovës për "zgjedhjet e suksesshme, të cilat forcojnë zhvillimin demokratik dhe konfirmojnë përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për të ardhmen evropiane të vendit të tyre", kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, thekson se "akuzat serioze për mashtrime kanë tërhequr vëmendjen e delegacionit të Parlamentit Evropian". Andaj Buzek pret nga organet kompetente të Kosovës që në përputhje me ligjin, të zbardhin këto dyshime, transmeton DW. Ndërkaq, përfaqësuesja e lartë e BE-së Catherine Ashton ka deklaruar se po merr informacione nga njerëzit në terren. "Do të presim zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Jam e vetëdijshme për atë se çfarë flitet. Unë mbetem e përkushtuar ndaj demokracisë dhe gjithmonë do të angazhohem për këtë", - ka thënë Ashton.

Qeveria: PDK, AKR dhe minoritete?

Kosova mund të hyjë në krizë qeveritare menjëherë pas zgjedhjeve nëse partitë politike e mendojnë me të vërtetë atë që e thonë publikisht, shkruante dje gazeta “Zëri”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Vetëvendosje” nuk duan të qeverisin me Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit beson të gjejë një parti të vogël dhe pakicat për të formuar qeverinë, shkruan kjo gazetë. 
Përderisa PDK-ja, e cila shpalli dhe kremtoi vetë fitoren, mendon se ofertat do të vijnë nga të gjitha subjektet politike, partitë që e pasojnë atë për nga rezultati i zgjedhjeve shprehen të rezervuara të bëjnë koalicion pikërisht me PDK-në.
Deri më tash, vetëm AKR-ja e Bexhet Pacollit nuk ka vija të kuqe për një subjekt politik, përfshi edhe PDK-në. Kurse, si pjesë e koalicionit të ardhshëm mund të shihen edhe pakicat. Ndërkaq, LDK, AAK dhe “Vetëvendosje” deri më tani PDK-në e kanë vijën e kuqe të cilën nuk duan ta kalojnë.
Përderisa ediet, përfshirë edhe disa ndërkombëtare si edhe analistët, e parashohin si koalicion të mundshëm atë ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, zyrtarët e kësaj të fundit i përgënjeshtrojnë njoftimet e tilla.
Nga ana tjetër, anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se kryesia e partisë do të vendosë se me cilën parti do të bëjë koalicion, ndonëse ajo e parasheh një parti të vogël dhe pakicat.
Mirëpo, se kjo parti nuk do të jetë AAK-ja, për këtë zotohet anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›