E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontestohet në gjykatë

LDK’ja e mbështetur nga AAK’ja dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të verifikuar nëse ka pasur shkelje të Kushtetutës me rastin e zgjedhjes së Presidentit Behgjet Pacolli. Ato po shqyrtojnë mundësinë që edhe çështja e votimit të Qeverisë nga ana Presidentit të ri të dërgohet në Gjykatë, por ende s’kanë vendosur për këtë. Nga Shpend Limoni më 02 mars 2011 në ora 07:44

Tridhjetë e katër deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur ta kontestojnë edhe juridikisht zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit në seancën e jashtëzakonshme të 22 shkurtit.

Pas mbledhjes së nënshkrimeve (25 nënshkrime të LDK’së dhe 9 të AAK’së), lënda është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të martën nga dy deputetë të LDK’së, Vjosa Osmani dhe Salih Morina.

“Është kërkesë e 34 deputetëve të LDK’së dhe AAK’së për vlerësim të kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit Pacolli. Tani natyrisht i takon Gjykatës që ta marrë vendimin dhe çdo vendim që merret nga kjo Gjykatë si instanca më e lartë dhe e vetme për interpretim të Kushtetutës, deputetët që e kanë nënshkruar këtë kërkesë do ta respektojnë”, ka thënë Osmani derisa ka dalë nga selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u nisur drejt Gjykatës Kushtetuese.

Votimi për Presidentin është kontestuar edhe nga Kreu i Parlamentit Jakup Krasniqi, i cili publikisht ka sugjeruar që kjo çështje të referohet në Gjykatën Kushtetuese.

Sido që të jetë, deputetja Osmani, e cila ka shërbyer si këshilltare ligjore e ish-Presidentit Fatmir Sejdiu dhe përfaqësuese ligjore e këtij të fundit pranë Gjykatës Kushtetuese “në rastin Sejdiu” nuk ka pranuar të flasë publikisht rreth argumenteve të prezantuara në gjykatën më të lartë në vend.

Ajo ka thënë se Gjykata do t’i bëjë publike argumentet, por mësohet se në dokumentin e dorëzuar është përmendur mungesa e kuorumit në ditën kur është votuar Presidenti dhe çështja e pauzës ndërmjet raundit të dytë dhe të tretë.

“Këtu ne po e kontestojmë procedurën e zgjedhjes, këtu janë 3 argumentet kryesore, të cilat natyrisht në momentin kur të pranohen nga Gjykata, Gjykata do të vendosë edhe për publikimin e tyre”, ka thënë ajo.

“Kërkesa jonë konteston procedurën me të cilën është zgjedhur presidenti Pacolli më datën 22 shkurt në seancën e jashtëzakonshme dhe natyrisht i kemi paraqitur argumentet tona kryesore, e tani i takon Gjykatës që të vlerësojë nëse ajo procedurë vërtet ka qenë apo nuk ka qenë kushtetuese. Pas vlerësimit, Gjykata Kushtetuese natyrisht vendos se çka do të bëjë me një vendim të tillë”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka sqaruar se kërkesa e LDK’së dhe AAK’së mbështetet në nenin 113. 5 të Kushtetutës së Kosovës duke thënë se me rastin e zgjedhjes së Pacollit për President të Kosovës është shkelur neni 86 i Kushtetutës së Kosovës që flet për zgjedhjen e Presidentit.

Sido që të jetë, Osmani nuk ka pranuar të flasë se cilat janë argumentet specifike që i janë adresuar Gjykatës.

“Ne sipas nenit 113.5 kemi të drejtë të iniciojmë apo të kontestojmë procedurat apo aktet që miratohen nga Kuvendi në qoftë se mendojmë se ato nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën. Në këtë rast, ne mendojmë se është shkelur neni 86 i Kushtetutës dhe mbi këtë bazë i kemi ndërtuar argumentet tona”, ka thënë Osmani.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në këtë rast Gjykata duhet ta thotë fjalën e saj jo më vonë se 60 ditë nga dita dorëzimit, nëse pranon të merret me rastin. Kjo çështje adresohet në nenin 43 pika 3 e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

“Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas dorëzimit të kërkesës”, thuhet në ligj.

Gazeta ka provuar të marrë edhe një reagim nga Presidenca e Kosovës, por zyrtarët aty nuk kanë hapur telefonat.

Express ka kontaktuar një ekspert juridik për të sqaruar se cilat do të ishin pasojat në rast se Gjykata konstaton shkelje me rastin e zgjedhjes së Presidentit.

Ky ekspert në kushte anonimiteti ka thënë se me kërkesën e tyre LDK’ja dhe AAK’ja synojnë të shpallin të pavlefshme zgjedhjen e Pacollit President.

“Kjo pikë (113.5) e sulmon Kuvendin... në rast se aty kalon një ligj i keq, nëse nuk ka kuorum atëherë me këtë dispozitë sulmohen këto veprime dhe efekti juridik është se e kthen çështjen prapa, pra para se të hyjë një ligj në fuqi ose një vendim ose kështu me radhë. D.m.th. me nenin 113, pika 5 po sulmohet kontestohet, vendimi (zgjedhja e Presidentit) dhe po tentojnë ta kthejnë atë prapa por jo a e ka shkelë a jo Presidenti Kushtetutën . Gjykata nuk specifikon, në rast se konstatohet shkelja se çka duhet të veprohet. Ajo vetëm konstaton se vendimi në Kuvend nuk është valide. Se çka ndodh më pas, nuk është punë e gjykatave”, ka thënë ky jurist.

Nuk ankohen për votimin e Pacollit

Një rast tjetër, ai i votimit të Presidentit të ri për Qeverinë e Kosovës, menjëherë pasi ka bërë betimin, nuk ka shkuar në Gjykatë.
Osmani ka sqaruar se për këtë çështja do të vendoset më vonë.
“Kjo do të vlerësohet nga LDK’ja natyrisht në momentin që të merret një vendim i tillë, sepse afati kohor është pak më i gjatë në këtë rast, i kemi pasur vetëm 8 ditë, do të vlerësohet dhe në momentin që do të vendosim natyrisht do ta shohim nëse një lëndë e tillë do të dërgohet në Gjykatë Kushtuese”, ka thënë Osmani.

Presion mbi Gjykatën

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka shprehur shqetësimin rreth “tendencës për të bërë presion mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në kohën kur kërkohet pavarësia e gjyqësorit”.

Në këtë mënyrë KMLDNJ’ja ka reaguar ndaj deklaratave të shefit të ICO’së, Pieter Feith, i cili ka thënë se nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës me rastin e zgjedhjes së Presidentit.

“Një tendencë e tillë posaçërisht vërehet në prononcimet publike të zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë në Kosovë. Prononcimi i fundit për medie i z. Piter Feith, i cili në një deklarim për media thotë se, ‘Konsideroj se nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës, gjatë zgjedhjes së Presidentit...’apo ‘jo absolutisht nuk është shkelur Kushtetuta’ për KMDLNj’në është presion i drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe prejudikim i vendimit që duhet ta marrë kjo gjykatë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ’së.

Institucione legale

Zyrtarët e Komisionit Europian janë prononcuar lidhur me legalitetin e procedurave të zgjedhjes së Presidentit Behgjet Pacolli duke thënë se zgjedhja e Presidentit dhe Qeverisë së re ishte plotësisht legale.

Sipas agjencisë serbe të lajmeve Beta, në vërejtjen se edhe disa zyrtarë të lartë të partisë së Hashim Thaçit kontestojnë legjitimitetin dhe legalitetin e Presidentit të zgjedhur si dhe Qeverisë dhe shefit të ekipit të Prishtinës për dialog me Beogradin, burimet e Komisionit Europian në Bruksel kanë thënë se “BE’ja kurrë nuk përzihet në çështje të brendshme të ndonjë vendi tjetër”.

“Për ne, Qeveria e Prishtinës aktualisht është legalisht e zgjedhur dhe mu për këtë vazhdojmë përpjekjet për të filluar dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka njoftuar Beta.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›