E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca e pazakonshme

Para vetëm disa viteve, pjesa më e madhe e politikanëve të djathtë në Evropë kishin qëndrime anti-semitiste. Tani, disa prej këtyre partive të djathta po e mbështesin Izraelin dhe po kërkojnë bashkimin, kundër asaj që e shohin si kërcënim të përbashkët. Kjo aleancë e pazakonshme mes ekstremistëve evropianë dhe Izraelit u vulos me nënshkrimin e Deklaratës së Jerusalemit. Nga Express më 02 mars 2011 në ora 08:53

Për vizitorët e rastit, vizitorët evropianë në Yad Vashem, qendrën përkujtimore për viktimat e Holokaustit, e vendosur në një shpat mbi Jerusalem, dukeshin si çdo delegacion tjetër i huaj. Në Kopshtin e të Drejtëve në mesin e Kombeve, ku nderohen njerëzit, të cilët kanë mbrojtur hebrenjtë, ata vendosën një kurorë dhe bënë fotografi, para se të nënshkruheshin në librin e mysafirëve, me premtimin:”Ne dëshirojmë të sigurohemi se ‘kurrë më’ vërtetë do të nënkuptojë kurrë më”.

Por nuk ishin këta vizitorë të thjeshtë, me simpati për sionistët. Këtë udhëtim në Izrael e ndërmorën një politikan belgë, i njohur për kontaktet e tij me veteranët që kanë shërbyer në njësitë SS, një austriak i njohur për lidhjet me neo-nazistët dhe një suedez, partia e së cilit ka rrënjët në fashizmin suedez-vizitorë të pazakonshëm, nëse dikush nuk merr në konsideratë rrjedhat aktuale politike në Izrael dhe Evropë dhe nëse nuk merret parasysh thënia “armiku i armikut tim, është miku im”.

Para vetëm disa viteve, pjesa më e madhe e politikanëve të djathtë në Evropë kishin qëndrime anti-semitiste. Tani, disa prej këtyre partive të djathta po e mbështesin Izraelin dhe po kërkojnë bashkimin, kundër asaj që e shohin si kërcënim të përbashkët.

Gjatë disa viteve të kaluara, udhëheqësit e djathtë në Evropë kanë shprehur brengën e tyre gjithnjë e më të madhe për shkak të imigracionit nga shtetet islamike në Evropën kryesisht sekulare, ku numri i myslimanëve është rritur nga 29.6 milionë, sa kishte në vitin 1990, në 44.1 milionë në vitin 2010, apo në rreth 10 për qind të popullatës në shtetet, siç është Franca.

Geert Wilders, politikan anti-islamik, partia e së cilit, Partia për Liri, në korrik të vitit të kaluar fitoi 24 ulëse në parlamentin e Holandës, e ka krahasuar Kuranin me librin Mein Kampf, të Adolf Hitlerit dhe e ka cilësuar profetin Muhamed si djall, i cili përhap ideologji fashiste dhe është zotuar se do të ndal imigracionin e myslimanëve.
Në Zvicër, 57 për qind e votuesve votuan për ndalimin e ndërtimit të minareve, në referendum që u zhvillua në fund të vitit 2009.

I ftuar nga një biznesmen i djathtë izraelit, i quajtur Chaim Chaim Muehlstein, vizitorët në dhjetor të vitit të kaluar nuk ishin anëtar të një delegacioni zyrtar.

“O Zot”, u përgjigj një zëdhënës i qeverisë së Izraelit, i pyetur rreth vizitës së këtij grupi. E pyetur rreth vizitës së këtij delegacioni, zëdhënësja e Yad Vashemit, Estee Yari, u përgjigj: Miliona njerëz vijnë këtu çdo vit dhe unë definitivisht nuk jam takuar me këta njerëz”.

Por me ta u takuan deputetë të parlamentit të Izraelit, me ç’rast u nënshkrua “Deklarata e Jerusalemit”, me të cilën Izraelit i garantohet e drejta që të mbrohet nga terrorizmi.

“Ne jemi në vijën e parë të frontit të luftës për komunitetin demokratik perëndimor, kundër kërcënimit totalitar të fundamentalizmit islamik”, u theksua në dokument, i cili u nënshkrua nga anëtarët e delegacionit, përfshirë këtu Heinz-Christian Strache, kryesuesin e Partisë Austriake të Lirisë; Filip Dewinter, kryetar i partisë ultranacionaliste belge, Vlaams Belang; René Stadtkewitz, themelues i Partisë së Lirisë në Gjermani.

Gjatë vizitës, evropianët kaluan nëpër fshatrat palestineze me një autobus të blinduar, për t’u takuar me kolonët hebrenj në koloninë Har Bracha.

Fakti se disa nënshkrues të Deklaratës së Jerusalemit njihen si ekstremistë, nuk e pengon aspak deputetin izraelit, Nissim Zeev, i cili u takua me vizitorët nga Evropa.

“Në fund të fundit, me rëndësi janë sjelljet e tyre-fakti se ata vërtetë e dashurojnë Izraelin”, tha Zeev, deputet i partisë ortodokse të krahut të djathtë, Shas.

Për politikanët evropianë, është kjo një aleancë e dobishme. Përderisa ndjenjat anti-myslimane janë gjithëpërfshirëse, anti-semitizmi nuk konsiderohet më si pjesë e pranueshme e diskursit politik, thotë Cas Mudde, ekspert për ekstremizmin evropian në Universitetin De Pauw.

Antipatia në rritje kundër myslimanëve në Evropë po nxitet nga organizatat si Ndalni Islamizimin e Evropës, e cila ka degët e veta në 11 shtete dhe nga Liga Angleze e Mbrojtjes.

(Newsweek)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›