ISSH: Kushtet e përfitimit sipas të gjitha kategorive deri më 1 korrik
Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, për të katër kategoritë deri më 30 qershor të vitit 2011. Kushtet për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm për të dyja gjinitë janë: datëlindja, plotësimi i moshës dhe viteve të punës. Kushtet ligjore, të përcaktuara nga ekspertët e ISSH-së, për të përfituar pension të plotë pleqërie nga 1 korriku vitit 2010 deri më 30 qershor 2011, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Konkretisht, është vendosur që për punë të kategorisë së parë mosha e daljes në pension për burrat të jetë 58 vjeç dhe për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 31 vjet të siguruara. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, krahasuar me vitin aktual, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, kurse periudha e sigurimit ka mbetur e njëjtë me atë të mëparshmen, 35 vite. Kështu, mosha e përfitimit të pensionit për punë të kategorisë së dytë është 63 vjeç e 6 muaj për burrat dhe 58 vjeçe e 6 muaj për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Edhe për punët e kategorisë së tretë mosha e përftimit të pensionit është rritur me 6 muaj, kurse periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për punët e kësaj kategorie është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç e 6 muaj dhe për gratë 59 vjeçe e 6 muaj, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar mbetet 35 vite punë. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune.
Sigurimi vullnetar është e vetmja mënyrë për të përfituar pension pleqërie, qoftë të plotë apo të pjesshëm, për personat që nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës. Për këtë arsye, Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se të gjithë ata persona që kanë vite të munguara pune mund t’i plotësojnë ato në mënyrë vullnetare për të përfituar pagesën e plotë të pensionit, ose për të mos humbur vitet e punës kur ata nuk arrijnë kufirin e duhur të përfitimit. Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku, thekson se janë shumë persona që kanë vite pune në Shqipëri, por që ato nuk janë të plota për të përfituar pension në rastin e mbushjes së moshës. Pikërisht, me anë të pagesës së kontributeve të sigurimit shoqëror vullnetar, të gjithë këta persona që kanë periudha të paplotësuara të vjetërsisë në punë mund t’i plotësojnë ato dhe të marrin pension. “Dua të theksoj se kategoria më e interesuar është ajo pjesë e qytetarëve që ka më pak se 15 vite pune, për të përfituar pension të pjesshëm pleqërie; apo edhe ata që kanë më pak se 35 vite pune, për të përfituar pension të plotë pleqërie”, - pohon Balluku. Sakaq, ai bën të ditur se për të përfituar një pension të plotë pleqërie kushtet kryesore janë: mosha, që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe 35 vite vjetërsi në punë, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. Aktualisht, deri në datën 1 korrik të këtij viti burrat plotësojnë moshën e pensionit kur të kenë mbushur 64 vite e 6 muaj dhe gratë 59 vite e 6 muaj. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm aktualisht kërkohen 15 vite sigurimi. Drejtori i Kontributeve në ISSH shpjegon se kjo do të thotë se kur një shtetas ka nën 15 vite sigurimi nuk futet në kushte përfitimi nga ligji i sigurimeve shoqërore. Pra, në këto kushte, sipas tij, këto vite sigurimi nuk i vlejnë mbasi nuk përfiton asnjë lloj përfitimi. Në rast se këto periudha i kompenson me sigurim vullnetar, atëherë plotësimi i periudhës prej 15 vitesh do bënte që ky të përfitonte një pension të pjesshëm. Po kështu, në të njëjtën mënyrë një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plotë mund të sigurohet për vitet e mbetura për ta marrë totalisht këtë lloj përfitimi. Për këtë arsye, Naim Balluku sqaron se problemi qëndron që qytetarët të mos i “djegin” vitet e punës, por të kompletojnë vitet e munguara për të përfituar nga ligji një pension të plotë ose të pjesshëm.