E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabandistët furnizuan ushtrinë me naftë vergine

Tiranë- Nje tjetër skandal me karburantet përfundon në dyert e drejtësisë. Një dosje e Prokurorisë së Tiranës, që ka në qendër të saj kompaninë “Euroil”, i është dorëzuar gjykatës. Kësaj radhe viktimë e trafikut të naftës vergine, naftës së papërpunuar, është vetë ushtria shqiptare dhe konkretisht Forcat e saj të Armatosura.

Ato janë furnizuar nga kjo kompani me naftë të cilësisë së dobët dhe për pasojë, sipas hetimeve të prokurorisë, kjo ka sjellë dëmtimin e automjeteve të ushtrisë si dhe ndotjen e mjedisit.

Dy nëpunës të administratës, një magazinier dhe llogaritajra e bazës së furnizimit të ushtrisë në Brar të Tiranës, kanë përfunduar të pandehur. Ata akuzohen edhe për falsifikim dokumentesh, duke mashtruar me sasinë e naftës së blerë për mjetet e ushtrisë.

Skandali kishte nisur nga një kontroll i auditit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka zbuluar se në dokumentet e hyrje daljes së karburanteve për llogari të ushtrisë, kishte abuzime me sasinë e mallit (naftë). Magazinieri kishte falsifikuar faturat e blerjes dhe daljes së naftës. Gjithashtu, në depot e magazinimit të karburanteve në repartin e Brarit në Tiranë, është zbuluar se nuk ka tabela kalibrimi apo matjes së sasisë. Nga këto mashtrime, shtetit i është shkaktuar një dëm prej 6.5 milion lekë.

Por naftës së blerë nga “Euroil” nuk i janë bërë analizat nga ana e rezervave të ushtrisë për të treguar cilësinë, duke futur në cisterna naftë me cilësi të dobët. Bëhet fjalë për 247 mijë litra, të cilat kanë shkaktuar një dëm prej 12.3 milionë lekësh. Po kështu, sipas prokurorisë, nga cilësia e keqe e karburantit është dëmtuar edhe ambjenti si dhe automjetet e forcave të armatosura që janë furnizuar me këtë naftë.

“Euroil” është kompania që u vu në qendër të skandalit të kontrabandës së naftës vergine. Kjo dhe disa kompani të tjera, merrnin naftën e papërpunuar nga Armo dhe në dokumenta e shënonin sikur e ekportonin për përpunim jashtë Shqipërisë. Por në fakt e hidhinin në treg të papërpunuar, duke e përzierë me naftën e importit. Pikërisht kjo naftë kishte përfunduar edhe në rezervat e ushtrisë por edhe në shumë distributorë në vend, ku furnizohen makinat e qytetarëve shqiptarë.

Pronari i kësaj shoqërie, pas një arrestimi të bujshëm u la i lirë nga gjykata, ndërsa hetimi është ende në proces.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Mekanizmi i mashtrimit me naftën vergine, eksporte të rreme edhe me Libinë Dosja e naftës vergine përfundon në gjykatë. Pas një hetimi...
  2. Dhuna në Siri, dezertorët sulmojnë ushtrinë Dezertorët e ushtrisë siriane që i janë bashkuar protestave popullore...
  3. Shkurtimet në buxhet në SHBA, do reduktojë ushtrinë SHBA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shkurtojnë mijëra...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›