E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontradiktat e Kadaresë

Ismail Kadare ka përjetuar një jetë kontradiktore. Ai, njëkohësisht, është lëvduar si shkrimtar dhe dënuar si lake i diktaturës shqiptare, në vendin e tij dhe nëpër botë. Kështu shkruan autori Peter Morgan.

Konteksti është gjithçka për të kuptuar veprën e Kadaresë. Krahasimi me disidentët e Europës Lindore, si Havel apo Solzhenitsyn, është i pa bazë. Opozita e brendshme dhe disidenca ishin të pamundura në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Do të ishte gabim të paraqitej Kadareja si një figurë e heshtur gjatë diktaturës. Në një vend ku shkrimtarët vazhdimisht persekutoheshin, burgoseshin, torturoheshin dhe vriteshin, Kadareja shkroi disa nga veprat më të shkëlqyera dhe subversive që kanë dalë nga Evropa Lindore socialiste.

Veprat e tij janë botuar pas shumë seleksionimeve dhe ai ishte anëtar i mirënjohur i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i partisë. Ai po ashtu u zgjodh edhe deputet i Kuvendit Popullor dhe mund të udhëtonte jashtë vendit. Kadareja ia doli t’i shpëtonte burgimit, kampeve të punës së detyruar apo formave të tjera të dënimeve që jepeshin për ata që devijonin nga linja partiake. Kishte edhe privilegje, por duhet kuptuar se Kadareja nuk ishte në gjendje të refuzonte udhëtimet jashtë apo pjesëmarrjen në institucionet shtetërore. Për privilegjet që gëzonte, ai duhej të paguante haraçin.

Ashtu si edhe çdo aspekt tjetër i jetës në Shqipëri, veprat e tij duhej t’i nënshtroheshin kontrollit nga lart. Kadareja po ashtu vuajti tmerrësisht nga stresi, kërcënimet dhe tmerri, që shfaqeshin si rezultat i veprimeve të paparashikuara të diktatorit.

Hoxha kishte ruajtur njëfarë respekti për Francën dhe ishte aq i zgjuar sa ta ruante Kadarenë si një figurë të vlefshme, për ta paraqitur në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, Kadareja nuk i dha ndihmë regjimit në rolin e tij si ambasador. Përkundrazi, sa herë që binte rasti, ai e përdorte atë për të përhapur veprat letrare që flisnin me elokuencë për hallet e vendit të tij. Veprat e tij letrare janë të përsosura.

Për të mbijetuar, ai duhej të aprovonte në heshtje regjimin dhe të përdorte privilegjet për të vazhduar shkrimet. Ndërsa kujtimet rreth diktaturave të Evropës Lindore zbehen, ne duhet të përpiqemi të rikrijojmë në mendjen tonë, rrethanat specifike ku vepronin këta zëra disidentë. Kadareja e shfaqi kundërshtimin e tij përmes letërsisë dhe jo në fushën e doktrinës apo ideologjisë.

Ai e shprehu sfidën e tij përmes paraqitjes së zymtësisë në jetën e përditshme në socializëm dhe përmes evokimit të fuqishëm të Shqipërisë së lashtë, më të qëndrueshme se ajo e Enver Hoxhës. Ai kundërshtoi me vendosmëri heqjen dorë nga gjuha, identiteti i tij dhe nga syrgjynosja, por pagoi një haraç të rëndë për këtë. Si shkrimtar që punonte në një ambient stalinist, Kadareja përfaqëson pikën fundore të historisë së literaturës socialiste evropiane.

(Pjesë e shkëputur nga një artikull më i gjatë i autorit Peter Morgan)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›