E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kontrata 1 euro, Gonxhja: 5 mld euro në ekonominë shqiptare prej 2016, 35000 vende pune

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot në Shkodër, gjatë aktivitetit për prezantimin e ligjit të ri të sapomiratuar “Paketa e Maleve”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri  Edi Rama, se me këtë paketë synohet jo vetëm investimi në zonat malore, kthimi i fuqisë punëtore nga diaspora dhe rritja e ekonomisë, por edhe qasja për të investuar në tokat e të parëve apo në tokat e shtetit që dikur ishte diçka e paimagjinueshme.

“Këto zona kanë një potencial për ekonominë, punësimin, turizmin, tregtinë, investimet. Ne trashëguam një kadastër pa harta, pa regjistrime, me regjistra të djegur, me arkiva të shkalafitura, prona të mbivendosura, krime që lidhen edhe me bëmat e komisioneve të kthimit të pronave. Këto situata duan fonde dhe kohë të gjatë për t’u sistemuar në gjithë vendin.

T’i japim paketës së maleve sukses të plotë duke i marrë asaj çdo avantazh për të krijuar atë mundësi të shtuar në raport me këto zona dhe atë për të cilën ekonomia jonë ka shumë nevojë, të kthimit të njerëzve, të forcave punëtore në funksion të turizmit dhe shumë aktiviteteve të tjera”, tha Gonxhja.

Sipas ministrit të MEKI-t, “Paketa e Maleve ka një ligj special për tokat e të parëve që të do të bëjë të mundur kthimin e diasporës dhe investimin aty ku është zemra”.

“Ka një shqetësim që nis nga asetet shtet apo pa zot, në shumë zona, qarqe, zonat rurale dhe ato zona ku ka një posedim, ku ka një lidhje me traditën, një histori të njohjes së pronës, traditës, trashëgimisë të mirënjohur edhe nga pronarët e tjerë të pronës, por aty janë pa letra”, tha Gonxhja.

“Kush na çon te vullneti për të pasur një zgjidhje edhe më të shpejtë, bazuar në shembullin shumë të mirë të kontratës publike me 1 euro që vetëm nga viti 2016 e këtej kanë gjeneruar mbi 5 miliard euro në ekonominë shqiptare me investime nga privatë, dhe mbi 35 mijë vende pune. Brenda 2030 këto vende pune duam t’i shtojmë dhe me 30 mijë të tjera”, vijoi Gonxhja.

“Sytë tona sot janë te ekonomia e maleve dhe e pyjeve, ka shumë shtete sot që gjenerojnë ekonomi shumë të fortë edhe nga përpunimi i drurit, pyjeve. Nuk flitet për të prerë pyje, por për t’i rritur dhe kur ato plaken për t’i shfrytëzuar në të mira në ekonomi dhe vlerë të shtuar në ekonominë e vendit. Për t’i dhënë një alternativë ekonomisë, asaj që është turizmi bregdetar që është nxitësi kryesor i ekonomisë shqiptare vitet e fundit, por duke e çuar turizmin e aventurës përtej brigjeve të detit duke shkuar në zonat që janë më të thella, pra në largësi nga zonat urbane, por që janë shumë të arritshme në Shqipëri”, pohoi ministri i MEKI-t.

Ministrja Gonxhja ju referua edhe kushteve atmosferike dhe faktit që Shqipëria ka 9-10 muaj në vit me diell dhe sipas tij, ky është një potencial që duhet shfrytëzuar për një eksperiencë më të fortë rurale, turistike. “Aty ku itineraret ekzotike të një Shqipërie unike bëhen edhe më të veçanta, edhe më tërheqëse, nxitja për kthimin e diasporës që i ka braktisur këto zona për gjithë këto vite nga mungesa e mundësive është shumë më e mundshme tani”, theksoi ai.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›