E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: “Paketa e Maleve” vonesë historike për zhvillimin e pronës, financim 250 milionë euro për agroturizëm

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Shkodër ligjin e ri të sapomiratuar “Paketa e Maleve”, i cili i hap rrugë investimeve në agroturizëm e turizëm malor.

Ky ligj i jep mundësi reale, e mbështetje të posaçme, të gjithë tyre që duan të rikthehen në tokat e të parëve për të bërë sukses ekonomik për familjen e tyre.

500 përfituesit e parë nga ky ligj do të jenë 10 vjet pa asnjë taksë.

Rama u shpreh se, “Paketa e Maleve është një ligj i cili synon dhe unë besoj që ia del të kapërcejë pengesat e panumërta dhe një vonesë historike në zhvillimin e pronës në territoret malore dhe posaçërisht në ato territore ku pronarët e ligjshëm, pronarët me zakon, me të drejtë nuk e kanë pranuar 7501-in dhe kanë këmbëngulur që toka t’ju njihet e ndarë siç ata janë dakordësuar me njëri-tjetrin, duke u kthyer praktikisht në kufijtë e paracaktuar nga të parët e tyre.

“Ne bëmë një përpjekje të ndërmjetme që ishte ligji 20/20, i cili ka avantazhet e tij, por edhe ai ka shfaqur problematika që lidhen me faktin që një pjesë e banorëve të interesuar për tokën janë këtu, një pjesë tjetër nuk janë këtu, duhet të dakordësohen të gjithë bashkë etj. dhe kjo ka vonesat dhe hallkat e veta të vështirësisë”, u shpreh Kryeministri.

Ndërkohë, shtoi Rama, “Paketa e maleve” nuk është një paketë që adreson çështjen e pronës në tërësi, por është një paketë që adreson ëndrrën edhe dëshirën për t’u kthyer tek toka e të parëve, qoftë nga qyteti, brenda për brenda Shqipërisë në fshat, qoftë nga jashtë në fshat përsëri, pra nga jashtë Shqipërisë dhe për të investuar aty kursimet ose fondet e marra me kredi”.

Për këtë arsye, theksoi Rama, “kemi vënë në dispozicion dhe një linjë të re komplet financimi nga Banka e Shqipërisë është 250 milionë euro në bankat e nivelit të dytë me një garanci 70% të kolateralit nga shteti që kush dëshiron mund ta përdorë pikërisht edhe për këtë paketë. Mund ta përdorë për agroturizëm, për agropërpunim, mund ta përdorë për çfarëdoqoftë që ka të bëjë me investime në territoret rurale malore, ose dhe gjysmë malore të Shqipërisë”. /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›