Rama: Shkodra, potencial për agroturizëm. 1.3 milionë vizitorë në zonat e Mbrojtura të qarkut

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në Shkodër prezantoi sot ligjin e ri të sapo miratuar “Paketa e Maleve” që i hap rrugë investimeve në agroturizëm e turizëm malor.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë foli për potencialin turistik të qarkut të Shkodrës për ndërtimin e agroturizmave, ndërsa theksoi se vitin e kaluar në Parqet Kombëtare ka pasur 5.5 milionë vizitorë dhe vetëm në Zonat e Mbrojtura të qarkut të Shkodrës ka pasur 1.3 milionë vizitorë.
“Vitin e kaluar ka pasur 5.5 milionë vizitorë në Parqet kombëtare një shifër kjo e jashtëzakonshme. I kemi të matshme tanimë shifrat, nuk janë si dikur por janë të matshme, një pjesë e parqeve janë me biletë, janë me instrumente pikërisht për të matur flukset, do të thotë se 5.5 milionë janë faktikisht potencialisht klientë të një rrejti agroturizmi që gjendet aty rrotull. 1.3 milionë janë në qarkun e Shkodrës, në zonat e Mbrojtura të qarkut të Shkodrës”, tha Rama.
Rama shtoi se kjo rritje në krahasim me 2023 është goxha e madhe, ndërkohë që rritja në krahasim me 2022 është eksponenciale.
“Pra Shkodra, me zonat malore, është hapur, është bërë destinacion ka shumë më tepër potencial. Nëse në qarkun e Shkodrës do të ndiqet shembulli i Thethit, i disa investimeve shumët të bukura të bëra në Malësinë e Madhe në Vaun e Dejës. Do të jetë vërtetë bekim i madh për Shkodrën, por edhe për ata që do ta marrin përsipër këtë që të mos rrinë jashtë dhe të punojnë për të tjerë, po punojnë dhe për vete” tha Rama.
/a.f/