E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontratat e reja, CEZ do të paguajë dëmet nga energjia

15/12/2010  ERE ka kërkuar që brenda dhjetorit të përfundojë drafti i kontratës

Brenda tre muajve të parë të vitit të ardhshëm qytetarët do të pajisen me kontrata të reja energjie. Kompania e shpërndarjes së energjisë, “CEZ Shpërndarje” ka rënë dakord për konsolidimin e një kontrate të re dhe tashmë ka nisur puna për hartimin e këtij dokumenti. Kanë qenë drejtues të të Entit Rregullator të Energjisë, të cilët kanë kërkuar një draft të ri të kontratës brenda muajit dhjetor.

Përgjegjësia

Risia në kontratë do të jetë në favor të qytetarëve dhe bizneseve, të cilët janë konsumatorë të energjisë. Parashikohet që në kontratën e re të fiksohen përgjegjësitë që ka “CEZ Shpërndarje” për standardet dhe cilësinë e energjisë që çon tek konsumatorët fundor, si qytetarët apo edhe bizneset. Kjo do të thotë se nëse klientëve të “CEZ Shpërndarje” u shkaktohen dëme në aparatura për shkak të cilësisë së furnizimit me energji, ato do të paguhen nga kompania, nëse kjo gjë vërtetohet. Për shkak të cilësisë së dobët të furnizimit me energji, shumë bizneseve u janë shkaktuar dëme materiale. Deri tani marrëdhënia mes “CEZ Shpërndarje” dhe konsumatorëve të saj bazohet ende në kontrata e vjetra, të cilat janë nënshkruar para privatizimit të kësaj kompanie në fillim të 2009-ës. Për këtë problem edhe drejtues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kanë deklaruar publikisht se probleme të tilla do të shmangen në momentin që do të nënshkruhen kontrata e reja.

Dëmet ndaj biznesit

Luhatjet e energjisë kanë dëmtuar bizneset në një masë të konsiderueshme. Nga një studim i kryer nga Konfindustria rezulton se cilësia e dobët e furnizimit me energji ka dëmtuar makineri dhe pajisje të sipërmarrjes private kundrejt një vlere prej 23 milionë eurosh. Konfindustria prej gati një viti ka ndërmarrë nismën për domosdoshmërinë e përmirësimit të kontratës së furnizimit me energji elektrike për bizneset. Një veprim i tillë bëhet veçanërisht i domosdoshëm në kushtet kur sistemi i shpërndarjes të energjisë elektrike në Shqipëri ka kaluar në pronësi private, duke filluar nga viti 2009. Aktualisht, bizneset paraqesin shqetësime të shumta për cilësinë e furnizimit, ku përmendet niveli, luhatjet e tensionit, ndërprerjet e shpeshta dhe të papritura, etj. Mbështetur në studimin e kryer nga Konfindustria për kostot ekonomike të shkaktuara nga cilësia e furnizimit me energji elektrike del, se në 10-mujorin e parë të vitit 2010 për sektorin industrial dëmi i përllogaritur në lëndë të para, procese teknologjike, makineri dhe pajisje të dëmtuara dhe/ose të blera, si dhe koha e shpenzuar tejkalon shifrën prej 23 milionë eurosh.

Çmimi

Enti Rregullator i Energjisë vendosi të mos rrisë çmimin e energjisë për vitin 2011. Ky institucion nuk pranoi kërkesën e “CEZ Shpërndarje” që të rrisë çmimin për konsumatorët shqiptarë me afërisht 12 për qind. Në këtë mënyrë çmimi mestar i energjisë vijon të mbetet edhe për vitin e ardhshëm 9.53 lekë për kWh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›