Kontrate e re. Altin Lala, shqiptari “Super i kuq”Lala u bashkua me Hanoverin, më 21 korrik 1998 dhe zhvilloi ndeshjen e parë me këtë skuadër, më 30 korrik 1998, në fitoren 1-0 kundër Karlsruhes. Lala luan që nga viti 1988 me Hanoverin. P

“Për fansat ky është lajmi më i bukur për Krishtlindje: xhuxhi luftarak do të qëndrojë i kuq”. Me këto fjalë e përshkruan lajmin për rinovimin e kontratës së Altin Lalës, gazeta më popullore në Gjermani, e famshmja “Bild”. Drejtuesit e klubit Hanover 96 në Bundesligën i gjermane kanë ofruar mesfushorit shqiptar një tjetër kontratë për “besnikun e kuq”.
TË KUQTË - 33-vjeçari Lala ka zhvilluar deri tani 158 ndeshje ne Bundesligën 1 dhe 115 në Bundesligën 2 me fanellën e Hanoverit. “Dhe shumë ndeshje të tjera do të jenë për të (me shpresë në Ligën 1)”, shkruan gazetari gjerman i “Bild”, Florian Krebs. “Të kuqtë”, siç thirret Hanoveri në Gjermani do t’ia përtërijnë kontratën Lalës gjatë verës së ardhshme.
PUNËSIMI - Bosi i Hanover 96, Martin Kind flet për “Bild”: “Ne e dimë mirë ç’parakupton ai për Hanoverin dhe ekipin”. Kjo do të thotë se pasi të dalë në “pension” e të varë “këpucët në gozhdë’, Altini do të punësohet në klub, duke qenë edhe me i lidhur me klubin e themeluar në vitin 1896. Lala është një ndër 13 lojtarët e huaj te Hanoveri, ku luajnë çuditërisht edhe dy amerikanë: Steven Cherundolo dhe Sal Zizzo.
BISEDIMET - Kind flet sërish me respekt: “Ne sigurisht që do të bisedojmë me të (Lalën)”. Për momentin presidenti i Hanoverit ka folur me trajnerin Diter Heking dhe drejtorin sportiv Kristian Hohshteter, që mesa duket ka dhënë edhe miratimin e tyre për këtë ripërtëritje. Pas festave të fundvitit do të nisin bisedat edhe me menaxherin e Lalës, Harun Arslan.
NDESHJET - Lala do të qëndrojë. Dhe do të jetë një “Super-Roten” (Super i kuq). I duhen edhe vetëm pesë ndeshje, dhe ai do të barazojë Hans Siemensmejerin, i cili ka 278 ndeshje me Hanoverin (dhe të gjitha në Bundesligën 1). Edhe Jurgen Bandura (298 ndeshje) është i arritshëm nga Lala. Vetëm Peter Anders (458 ndeshje) dhe Rainer Shtiler (362 ndeshje) nuk mund të arrihen nga “xhuxhi luftarak” shqiptar.
LAJM I BUKUR - Para dhjetë vjet e gjysmë Altin Lala u transferua nga Borusia Fulda te Hanoveri. Pas rikthimit në Bundesligën 1 në vitin 2002, Lala ishte për pesë vjet kapiteni i Hanoverit. Lala do të jetë përjetë një “Roter” (një i kuq). Edhe Jiri Shtajner (32 vjeç, edhe këtij do t’i zgjatet kontrata) do të luajë për Hanoverin. “Lala dhe Shtajner do të qëndrojë akoma te të kuqtë, çfarë lajmi i bukur për Krishtlindje”, - përfundon shkrimi i “Bild”-it.
DEBUTIMI
Lala u bashkua me Hanoverin, më 21 korrik 1998 dhe zhvilloi ndeshjen e parë me këtë skuadër, më 30 korrik 1998, në fitoren 1-0 kundër Karlsruhes.
GOLAT
Si një mesfushori shkatërrues nuk dallohet për gola: vetëm 10 gola ka shënuar ai me fanellën e Hanoverit në 273 ndeshje, 1 në Bundesliga 1, 9 në Bundesliga 2.
SHIRITI
Lala luan që nga viti 1988 me Hanoverin. Për herë të parë u bë kapiten në sezonin 2004-2005 dhe e la shiritin në sezonin 2007-2008 në favor portierit Enke.
KONTRATA
Altin Lala është ndër lojtarët më të vjetër te Hanoveri. Më 14 shkurt të këtij viti ai ripërtëriti kontratën. Kjo aktuale skadon në verën e vitit 2009.
RENDITJA
Hanoveri pas përfundimit të fazës së parë në Bundesligë me 17 pikë në 17 ndeshje u rendit në vendin e 13-të nga 16 ekipe që ka Bundesliga gjermane.
70 NDESHJE
Kapiteni Altin Lala i ka të gjitha gjasat të hyjë në librin e rekordeve me përfaqësuesen shqiptare. Deri tani ka zhvillua 70 ndeshje, tre më pak se Foto Strakosha (73).
GOLAT
Me Kombëtaren shqiptare Altin Lala ka shënuar 3 gola. Golin e parë e ka realizuar në fitoren 3-1 kundër Rusisë, të dytin kundër Zvicrës (2-3) dhe të tretin kundër San Marinos (3-0)
Skeda e Altin Lalës
Datëlindja: 18.11.1975
Vendlindja: Kavajë
Lartësia: 1.72 m
Roli: Mesfushor shkatërrues
Klubi aktual: Hanover 96
Numri në fanellë: 8
Klubet në karrierë:
1993–1996: Dinamo (Shqipëri)
1996–1998: Borusia Fulda (Gjermani)
1998 e në vazhdim: Hanover 96
Ndeshje me Kombëtaren
Ndeshja e parë: 1994
Takime të luajtura: 70
Gola: 3
E Merkure, 24 Dhjetor 2008