Halili: Më sulmojnë me shpifje, sepse PS nuk fiton në Prezë prej tetë vitesh
Deklaratë e Kryetarit të Komunës Prezë
Në faqen e parë të Gazetës Dita të datës 21 Maj 2013, shkruhet fjala “skandal” mbi fotografinë time, si Kryetar i Komunës Prezë, dhe më pas një person me emrin Rakip Çili boton në faqen e tretë të Gazetës Dita një artikull dedikuar faktit që unë, Ahmet Halili, jam në kërkim në SHBA për ngacmim seksual të një të miture dhe për rrahjen e një personi.
Gazetari i Ditës paraqet edhe dy dokumente në të njëjtën faqe, një dokument në anglisht që flet për një kallëzim penal nga një grua kundër meje, si dhe një letër denoncuese nga Sinan Gjoni drejtuar Ministrisë së Brendshme kundër meje, për të njëjtat vepra. Me këto të dhëna gazetari i Ditës mendon se zbuloi të vërtetën dhe demaskoi drejtuesit e Partisë Demokratike, duke i bërë një shërbim ‘të vyer’ drejtpërdrejt opozitës.
Sikur të dhënat që boton të jenë të vërteta, të cilat gazetari i Ditës sigurisht që nuk i ka verifikuar, pasi një person i vetëquajtur Rakip nuk është gazetar, por një propagandist partish, i cili si i tillë as nuk denjon të verifikojë të dhënat, pasi rëndësi për të ka shërbimi në interes partiak në funksion të të cilit vendos shpifjen, fyerjen dhe uljen e figurës së një individi.
Nuk mendoj se është e nevojshme të paraqes mendimet e mia mbi një artikull të tillë. Për mua ai është një artikull propagandistik i mbushur me të dhëna të pavërteta, që nuk meriton as edhe t’i përgjigjesh. Por dëshira për të nxjerrë në pah të vërtetën, më shtyn të shkruaj disa rreshta.
Në vijim do të paraqes vetëm fakte që i përgënjeshtrojnë të dhënat e paraqitura nga gazetari i Ditës dhe mandej çdo individ, që i ka qëlluar të lexoje këtë artikull të mbushur me të dhëna të rreme, le të nxjerrë vetë konkluzione. Sigurisht, në fund do të dëshiroja t’i bëja një thirrje redaksisë së Gazetës Dita.
Pikë së pari, dëshiroj të theksoj se kallëzimi penal në gjuhën angleze i paraqitur në faqen e Gazetës mban datën 19 shtator 2002, datë në të cilën unë ndodhesha në Shqipëri.
Unë jam larguar nga SHBA, më datë 26.08.2002 d.m.th 24 ditë më parë se të bëhej kallëzimi. Nëse gazetari Rakip do të interesohej më tej për këtë çështje do të mësonte se ky denoncim është rrëzuar si i pabazuar po nga hetuesi që mbajti kallëzimin dhe në adresën time nuk është bërë as edhe një thirrje nga policia amerikane. Gazetari shprehet se, sipas dokumentit në anglisht unë jam arrestuar, ndërkohë që dokumenti në anglisht, siç u theksua edhe më lart,është thjesht një dokument kallëzimi që u arkivua si i pabazë.
Së dyti, gazetari flet për rrahje të një personi nga ana ime, por nuk jep asnjë të dhënë për këtë çështje. A ka filluar ndonjë çështje penale për rrahje në ngarkimin tim dhe, nëse po, çfarë ka ndodhur me këtë çështje? Sqaroj se edhe kjo çështje është mbyllur dhe refuzuar, gjë që me sa duket gazetari është në dijeni, pasi nuk boton asnjë të dhënë për këtë çështje, sikurse vepron për rastin e ngacmimit seksual.
Së treti, gazetari pa asnjë problem shprehet se unë e kam nisur karrierën time pas kthimit nga SHBA si punonjës dogane. E pyes këtë gazetar, në cilën doganë? A mund të marrë ndonjë vërtetim se unë kam punuar në ndonjë doganë të Republikës? Si më sipër kjo është një shpifje që për gazetarin nuk ka rëndësi, pasi qëllimi i tij është në tjetër vend, siç do të zbulohet më poshtë.
Pasi jam kthyer nga Amerika, unë kam punuar në Drejtorinë e Bujqësisë Tiranë, si specialist i mbrojtjes së bimëve. Unë nuk kam punuar asnjë ditë si punonjës dogane. Po kjo punë nuk i intereson gazetarit, se sipas tij vetëm nëse punon në Doganë mund të bësh para. Pavarësisht se nuk kam punuar asnjë ditë në doganë, gazetari, me qëllim që të justifikojë shpifjen e tij se unë u kam shpërndarë pará familjeve që të votojnë për mua, më vendos në karrierën time sikur kam punuar në doganë!
Mor i uruar gazetar, tani që e more vesh që nuk kam punuar në doganë, a ka mundësi të ndryshosh mendje dhe të kuptosh që votat i kam merituar dhe nuk i kam blerë? Dakord, e pranoj se shkruan si propagandist i opozitës, por si guxon të shpifësh me kaq lehtësi! Këtë vërtet as e kuptoj e as e pranoj.
Ta marrësh vesh ti dhe të gjithë ata që e lexojnë gazetën ku ti shkruan, se unë jam kthyer nga Amerika me urgjencë, jo për arsyet që shkruhen në artikullin tënd, por se më njoftuan se e kisha nënën të sëmurë rëndë, e cila edhe pse u operua nuk arriti të jetonte, por ndërroi jetë një muaj më vonë në datën 1 tetor të vitit 2002. Mandej probleme të ndryshme familjare më detyruan të qëndroja më pas në Shqipëri.
Sigurisht, letrat e një personi me inicialet S.Gj, u morën në shqyrtim nga institucionet kompetente si dhe pasi u interesuan pranë organeve përkatëse të vendit ku unë banoja në Amerikë, i refuzuan këto letra si të pathemelta dhe me karakter shpifës e fyes ndaj personit tim.
Kjo është gjithçka që ka të bëjë me “skandalin” tim. Çdo individ është i lirë të gjykojë e të krijojë opinionin e tij mbi ato që botohen në Gazetën Dita. Megjithatë jam i sigurt, se çdo individ me prirje objektive do të distancohet nga artikuj të tillë.
Unë kam punuar me devotshmëri dhe pa u lodhur për Komunën e Prezës dhe për këtë unë pres të vlerësohem nga banorët e Komunës që drejtoj dhe jo nga gazetarë joprofesionistë të Gazetës “Dita” apo të një gazete tjetër. Le të presim për këtë zgjedhjet e ardhshme lokale.
Presionet ndaj meje kanë nisur prej disa kohësh nga persona të ndryshëm që të mos përfshihem në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Këto presione më bëhen ne prag te zgjedhjeve për shkak se PD i ka fituar zgjedhjet në këtë komunë ku unë drejtoj në dy mandatre rresht dhe duan qe unë të tërhiqem ne këto momente.
Së fundi, i kërkoj Gazetës “Dita” që në shenjë rivlerësimi të qëndrimeve të saj propagandistike në favor të tyre me karakter të pastër gazetaresk, të bazuara në të dhëna të sakta, siç e kërkon detyra e gazetarit dhe e gazetarisë në përgjithësi, të ketë kurajon të botojë këtë artikull, po në faqen e tretë të gazetës.
Shpresoj se do të gjej një gjykim të drejtë e të arsyeshëm tek redaksia e Ditës dhe mediat e tjera.
Me respekt,
Ahmet Halili
Kryetar i Komunës Prezë