E majta bën lojëra kryeministrore, ndërkohë që kombi kërkon kompensim për aktivitetin e saj 23-vjeçar antikombëtar
Që nga dalja e LSI-së në opozitë, shqiptarët kanë pasur mundësi të binden, se e majta nuk njeh parim, nuk njeh rregulla në lojën politike, dhe nuk ka trohën e moralit politik. Dhe turpi doli në sipërfaqe kur LSI, bashkë me tërë të majtën shqiptare të Tiranës, padrejtësisht dhe me hile kishte synuar që të vidhte një anëtar të KQZ-së, e që i takonte partisë së dytë të shumicës qeverisëse, dhe t’ia kalonte opozitës. Në kundërshtim me Kodin Zgjedhor që ka parashkruar me vullnetin e plotë të opozitës dhe me këmbënguljen e saj, se dy anëtarë i takojnë partisë së parë të shumicës qeverisëse, dy partisë së parë të opozitës, një partisë së dytë të shumicës, një partisë së dytë të opozitës, dhe kryetari zgjidhet me konkurs, opozita shqiptare provoi që anëtarin që sipas ligjit i takon partisë së dytë të shumicës qeverisëse ta marrë për vete, dhe kështu të krijojë një balancë 4:3 në të mirë të opozitës, e që është edhe më keq, t’i marrë 100% të KZAZ-ve, KQV-e dhe QNV-e, duke e marrë kontrollin e plotë të institucionit të organizimit dhe të mbajtjes së zgjedhjeve, në mënyrë që të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve në të mirë të saj. Që atëherë, pra që nga koha kur LSI kishte dalë nga qeveria, por sidomos kur i dështoi hileja me KQZ dhe nivelet e tjera të institucionit të organizimit të zgjedhjeve, opozita është shpërfytyruar dhe nuk e kontrollon dot veten. Edhe pse edhe më parë, opozita e majtë kishte bërë veprime nga të cilat dukej se ishte jashtë kontrollit, tashmë ajo më shumë se ndonjëherë tjetër, ndoshta edhe më shumë sesa edhe në prag të anarkisë së vitit 1997, po dëshmon se nuk e ka veten në kontroll. Kështu, ajo nuk do t’ia dijë se në kritikat që po ia bën qeverisë, në fakt, do të duhej t’ia drejtonte vetes së saj, sepse LSI që tash është në opozitë për një mandat të plotë qeverisës ka qenë pjesë e qeverisë dhe menaxhuese e sektorëve të rëndësishëm të qeverisjes së vendit. Në anën tjetër, vetë LSI, për turpin e saj, është lëshuar në kritika të tilla ndaj qeverisë, sikur ajo për asnjë ditë të mos ketë qenë pjesë e qeverisë. Duhet thënë se LSI, së paku për dy arsye ka qëndrim të këtillë: 1. Se në këtë mënyrë dëshiron që ta rëndojë Berishën, apo siç ka qejf Ilir Meta të thotë, Doktorin, për keqqevrisje, pra edhe për pjesën e vetë të përgjegjësisë, dhe: 2. Që të bëjë pikërisht përpjekje për të fshehur përgjegjësinë e vet në qeverisjen e vendit. Mirëpo, shqiptarët nuk kanë harruar se katër vjet zëvendëskryeministër i qeverisë Berisha ka qenë Ilir Meta dhe Edmond Haxhinasto, të cilët, po ashtu, kanë qenë njëkohësisht edhe ministër të punëve të jashtme, përkatësisht të ekonomomisë, si dhe; Dritan Prifti, Nasip Naço dhe Edmond Panariti kanë qenë, po ashtu, ministra në qeverinë Berisha dhe kanë mbuluar sektorë të ekonomisë që kanë pasur në varësi të tyre koncesionet, privatizimet dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të vendit, dhe se rrjedhimisht nëse diçka nuk ka shkuar mirë, atëherë është përgjegjësia e tyre e drejtpërdrejtë. Po ashtu, populli ka harruar se dhuna e opozitës ndaj shtetit është bërë e motivuar nga një video në të cilën shihej ai, pra Ilir Meta duke bërë pazare korruptive. Por jo vetëm Ilir Meta, por edhe Edi Rama po kujton se populli ka harruar se është ky i fundit që kishte shprehur vendosmërisë se në drejtim të institucioneve shtetërore do të vazhdojnë edhe po qe se do të ecin edhe mbi kufoma, pikërisht për shkak të videos në fjalë.
Mirëpo, turpi më i madh i opozitës në përgjithësi, e i Ilir Metës bashkë me LSI në veçanti, ka të bëjë me pafytyrësinë e akuzave lidhur me tre ligjet e integrimit. Opozita shqiptare e shpërfytyruar tashmë moralisht, politikisht dhe logjikisht, po mundohet që t’i fshijë vitet e tëra të bllokimit të proceseve integruese me akuza ndaj Berishës, duke pritur më shumë që këtë ta besojnë militantët gjaknxehtë dhe të indoktrinuar të së majtës, sesa populli në tërësi. Në këtë pafytyrësi politike, Ilir Meta e ka marrë revan dhe nuk po lë gjë pa thënë, duke mos përmendur me asnjë fjalë gjithë ato tirada akuzash dhe intrigash që i kishte bërë Edi Rama edhe në drejtim të atij personalisht, por edhe të tjerëve lsi-istë, që ishin pjesë e qeverisë Berisha; duke mos përmendur fare gjithë ato injorime dhe refuzime me përbuzje të të gjithë thirrjeve ndërkombëtare dhe të vetë atij, që të japë konsensusin për tre ligjet, nga ana e Edi Ramës. Ilir Meta, duke qeshur e lëpin turpin dhe gjithë pështymën që Edi Rama dhe sejmenët e tij kishte hedhur mbi të dhe mbi LSI-në sa kohë që ishin pjesë e qeverisë, dhe me krekosje ngre akuza kundër Berishës se ai po bllokuaka miratimin e tre ligjeve. Së këndejmi, qasja e Ilir Metës ndaj tre ligjeve që janë kusht nga BE-ja për statusin e vendit kandidat, është një qasje tërësisht tendencioze, tërësisht irracionale dhe që bie ndesh me tërë praktikën e gjertanishme politike në shtetin shqiptar dhe në tërë hapësirën shqiptare. Është kështu jo vetëm për ato që i thashë më lartë, por edhe për faktin se ai, pra Ilir Meta, ka filluar t’ia kalojë edhe vetë Edi Ramës për kah niveli akuzave ndaj Berishës, për nga niveli i obstruksioneve dhe i destruktiviteteve politike. Është kështu pasi, që Ilir Meta, destruktivitetin e tij e bën pasi që ka qenë për katër vite pjesë e qeverisjes që po e kritikon, dhe po sillet sikur të mos ketë qenë asnjë ditë pjesë e qeverisë Berisha. Është çështje tjetër pastaj se angazhimi kaq i madh i Ilir Metës ka të bëjë me luftën e brendshme në të majtën për çështje të kryeministrit, sepse e majta e ka zakon që të luftojë për poste qeveritare edhe duke qenë në opozitë, duke treguar kështu se qëllimi i vetëm i saj, pra i së majtës është thjesht pushteti personal,. Është kështu për faktin se së fundmi është Ilir Meta vetë, i cili dëshmoi se qëllimi i së majtës është që Doktori të mos jetë më kryeministër, pra dëshmoi se loja e së majtës është me Berishën, por jo edhe me qeverisjen e ardhshme. Pra, së fundmi Ilir Meta dëshmoi se konsensusi brenda së majtës është për ta mposhtur Berishën, sepse shpresojnë se duke e mposhtur Berishën, do të shkatërrojnë edhe PD-në, kurse nuk ka konsensus për qeverisjen eventuale të majtë, dhe se kur të vjen radha aty, atëherë luan hesapi, pasi që secili do të bëhet kryeministër. Në këtë mënyrë, del se është e majta ajo që ka nevojë t’i blejë disa karrige dhe të çojë disa në PS, ndonjë në LSI, një në PSD, e kështu me radhë, kurse shqiptarët nuk kanë kohë të merren me lojërat kryeministrore të opozitës, sepse kanë tepër punë për të bërë për ta çuar më tej procesin integrues të shtetit dhe të kombit, të çojë më tej elementet që mundësojnë mirëqenie më të madhe të tyre, si dhe që të mund të kompensojnë dëmet që i ka shkaktuar e majta gjatë këtyre 23 viteve të fundit.