E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontroll lavazheve shperdorojne ujin e pijshem

Rreth 150 lavazhe që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë, do t’i nënshtrohen kontrolleve që ka ndërmarë Ujësjellësi i Tiranës në bashkëpunim me Policinë Bashkiake. Sipas drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve, Sahit Dollapi të gjitha këto subjekte që përdorin ujin e pijshëm, duke ndërhyrë në rrjetin e kanalizimeve, do të penalizohen. Ndërsa kreu i policisë bashkiake tha se kontrollet do të shtrihen në të gjitha subjektet kudo në kryeqytet.

"Ky aksion do të jetë i vazhdueshëm jo vetëm për lavazhet, po për të gjitha subjektet që shpërdorojnë ujin. Sot ne bëmë kontrollin totalisht në mënyrën e furnizimit të ujit, uji është i përdorshëm apo jo, si dhe dokumentacionin teknik nga strukturat e bashkisë", tha Sahit Dollapi, kreu i UKT.

"Në bashkëpunim me strukturat e ujësjellës-kanalizimeve sot po ndërmarrim një aksion në lidhje me lavazhet e palicencuara. Ne jemi në mbështetje të ujësjellës- kanalizimeve dhe do të ndërmarrim të gjitha masat që të mos ekzistojnë më lavazhe të pa licencuara në territorin e Tiranës", u shpreh Florenc Hoxha, kreu i Policisë Bashkiake.

Në ditën e parë aksioni është shtrirë në zonën e Porcelanit, pasi shumica e lavazheve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre është e përqëndruar në zonat periferike. Ndërkohë masa do të merren dhe ndaj subjekteve që përdorin ujin e puseve, në rast se këto të fundit nuk kanë dokumentacionin përkatës, si lejen e shfrytëzimit, apo kontratë me Ujësjellës-Kanalizimet për pastrimin e puseve nga ujërat e ndotuara.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›