Kontroll mjeteve të transportit publik

Bledar Meta
BERAT- Aksidenti i ndodhur një javë më parë në afërsi të qytetit të Çorovodës ku një autobus me nxënës doli nga rruga dhe shkaktoi plagosjen e tre fëmijëve dhe lëndimin e disa të tjerëve ka bërë që Inspektoriati i Njësisë së Qarkullimit rrugor të intensifikoj kontrollet tek mjetet e transportit publik, kryesisht ato të transportit të fëmijëve. Lajmin e bën të ditur për mediat shefi i njësisë rrugore për qarkullimin, Bledar Meta. Që prej dy ditësh të gjitha uniformat blu të qarkullimit rrugor janë vendosur në hyrje të qytetit të Beratit ku janë duke ushtruar kontrolle të detajuara të të gjithë mjeteve që hyjnë e dalin në qytet, kryesisht të mjeteve të transportit rrugor, thotë Meta.
Një pjesë e problematikës së qarkullimit rrugor është dhe mosrespektimi i rregullave nga ana e drejtuesve të mjeteve të transportit publik, kryesisht autobusët ndërqytetës, të cilët nuk respektojnë vendqëndrimet. Me anë të këtij aksioni synohet të kontrollohen për dokumentacionin përkatës të gjitha mjetet që hyjnë dhe dalin, po kështu dhe kontrolli teknik, i tyre, shlyerja e gjobave, mos qarkullimi i drejtuesve të mjeteve pa rrip sigurimi, etj, pohon ai.
Sot, jemi në vazhdim të këtij aksioni ku janë vërejtur shkelje nga ana e drejtuesve. Pas Beratit ky kontroll pune i detajuar do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim në rrugët e qyteteve Kuçovë, Poliçan dhe Çorovodë, tha kreu i rrugorëve. Meta gjen rastin që nëpërmjet medias ti bëjë thirrje qytetarëve që jo vetëm të plotësojnë të gjitha dokumentat për mjetet e tyre, por të respektojnë rregullat dhe sjelljet rrugore për të shmangur aksidentet në rrugë.
Erjola Azizolli