E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për kontrabandë doganieri i Qafëthanës

Një doganier është vënë në pranga për veprën penale të kontrabandës. Doganieri me detyrë në pikën e kalimit kufitar të Qafëthanës është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa bashkë me të policia ka vënë në pranga edhe një tregtar nga qyteti i Pogradecit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, konfirmohet se doganieri nga Korça, Sokol Bala, kishte favorizuar në kalimin pa shlyer detyrimet doganore të një mjeti të ngarkuar me mall. Nga kontrollet është verifikuar se mjeti kishte mundur të hynte në territorin e Shqipërisë pa asnjë dokument shoqërues për mallin dhe pa kaluar procedurat doganore. Ndërsa është kapur së pari tregtari nga qyteti i Pogradecit, Renato Jashari, është marrë në pyetje doganieri që ishte në detyrë në kohën kur kishte kaluar makina e ngarkuar në Maqedoni. Në makinë, policia tha se u gjetën 8 kuintalë arra të qëruara. Makina me mallin e pazhdoganuar është kapur rreth orës 1:30 të mëngjesit, pasi kishte lënë pas Qafëthanën dhe po i afrohej qytetit të Pogradecit. Policia tha se është konfirmuar se doganieri Sokol Bala ka favorizuar kalimin e mallrave kontrabandë dhe ndaj tij është marrë masa e arrestit dje në mesditë. Ndaj Balës rëndon akuza për kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtari doganore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›