E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kontrolle gjatë festave për ushqimet”

 

Kontrolle për kushtet e higjienës në të gjitha baret dhe restorantet. Ato do të jenë më të shpeshta sidomos gjatë festave të fundvitit. Këtë plan ka bërë për kryeqytetin Autoriteti Shëndetësor rajonal. Burime nga ky institucion pohojnë se masat po merren në mënyrë që të garantohet cilësi për të gjithë konsumatorët. “Nga kontrollet e bëra për dhjetë muajt e parë të vitit për kushtet e tregtimit të produkteve ushqimore, janë vendosur një sërë penalizimesh. Prej tyre 26 procesverbale për groposje të produkteve ushqimorë të parregullt dhe 348 për marrje mostrash për analiza bakteriologjike”, sqaron ASHR. Sipas këtij institucioni, gjatë këtyre kontrolleve janë marrë masa për mbyllje provizore për 78 subjekte, mbyllje definitive për 38 subjekte, si dhe vendim me gjobë për 180 subjekte. Një kujdes i veçantë është treguar nga inspektorët sanitarë në kontrollin e ushqimeve të çastit (fast-food). “Në përgjithësi gjendja higjieno-sanitare e tyre është e rregullt, ndërsa përjashtime kemi pasur në fast-food pranë shkollave ‘Kushtrimi i Lirisë’, ‘Mihal Grameno’ dhe ‘Ahmet Gashi’ (Laprakë), në të cilat janë mbajtur dhe lënë proces-verbale me detyra dhe afate për përmirësimin e gjendjes, si dhe është ndjekur ecuria e përmbushjes së tyre”, pohojnë specialistët. Inspektorët sanitarë të Shërbimit të Higjienës do të vijojnë të ushtrojnë kontrolle higjieno-sanitare në të gjithë subjektet e qytetit dhe rrethit të Tiranës. Nga këto kontrolle janë përjashtuar ‘ambulantët’, që janë subjekt i Policisë Bashkiake dhe të Komunave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›