Antikrimi që na jep zemër të gjithëve
Fatos Çoçoli
Lajmi se Policia e Shtetit ka zbardhur mekanizmin e vrasjeve të bujshme të sipërmarrësve shqiptarë Florian Vila dhe Vajdin Lamaj, është për t’u përshëndetur nga mbarë opinioni publik. Ai vjen pas dyshimeve të hedhura në media rreth mundësisë që zjarret e mëdha të ditëve të fundit në dy magazina të biznesit të konsoliduar në autostradën Tiranë-Durrës të mos ishin të rastësishme, por vepër e konkurrencës. Me to, fantazma e mafies që godet biznesin në emër të konkurrencës dhe zhduket sikur nuk ekziston, u rishfaq frikshëm në shoqërinë shqiptare. Prandaj dhe komentet e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi dhe puna e Departamentit të Hetimit (drejtues i të cilit ai është) brenda saj duhen mbështetur. Kjo lloj “prokurorie” policore ka dhe ajo peshën e ndërhyrjeve të politikës dhe është jetike për të që të marrë zemër nga publiku. Jo rrallëherë hetimi i mëparshëm mbi rrëmbimet e sipërmarrësve apo madje edhe mbi vrasjet e tyre është mbuluar me një tis thashethemnaje (mediatike ose jo) që shumë vrasës apo porositës të vrasjeve e rrëmbimeve mbrohen politikisht, për shkak të miqësive të tyre me politikanë kryesorë. Prandaj duhet përkrahur bashkëpunimi i mirë i sotëm i Prokurorisë së Krimeve të Rënda me policinë tonë. Janë një mijë e treqind dosje të pazbuluara të krimeve mafioze këto 18 vitet e fundit. Janë këto një mijë e treqind shkrepje kallashnikovi që kanë hedhur tmerr, frikë e nganjëherë edhe dëshpërim në shoqërinë tonë. Më të pambrojtur ndihen sipërmarrësit, që detyrohen të shumëfishojnë ruajtësit truporë të tyre dhe të familjeve të tyre. Edhe pse kosto e ruajtjes fizike të biznesit, në krahasim me vitet e plumbta 1997 dhe 1998 është ulur ndjeshëm, sërish ajo është e lartë. Është e papranueshme kjo pasiguri e jetës sot dhe puna e Policisë e Prokurorisë për të zbardhur dosjet e vrasjeve të bujshme ia vlen me të tepërt. Me këto zbardhje fitojnë në siguri jo vetëm vendi dhe sipërmarrësit shqiptarë, por edhe ata të huaj. Këta të fundit janë shumë të ndjeshëm ndaj lajmeve për vrasje apo rrëmbime biznesmenësh. Edhe pse vitet e fundit ngjarje të tilla nuk ka patur, sërish sipërmarrësit e huaj kanë frikë. Këtë e tha shqeto biznesmeni Philip Dean, në një tryezë të rrumbullakët të qeverisë shqiptare me biznesin një muaj më parë në Tiranë. “Më thanë miq e të afërm: ti je i çmendur që kërkon të jetosh në Shqipëri. Paratë atje bien erë gjak!. Erdha disi me ndroje të madhe tre vite më parë. Tani u them të afërmve dhe miqve të mi: jetoj në periferi të Tiranës, shëtis në dy të natës vetëm, harroj derën e shtëpisë hapur, asgjë nuk më ndodh. Shqipëria është po aq e pasigurt (apo e sigurt) sa edhe shtëpia ime në Londër! Ajo është tejet e pasigurt dhe kriminele vetëm në imazhin e saj”. Puna e njerëzve si Agron Kuliqi apo prokurorëve si Adnan Kosova, shërben pikërisht për të forcuar imazhin e vendit si një mjedis i sigurt për biznes dhe për të ndihmuar të punojnë të qetë të 75 mijë sipërmarrësit shqiptarë dhe mijëra sipërmarrësit e huaj. Ajo duhet nxitur jo vetëm nga mediat e përgjegjshme dhe mbarë opinioni ynë publik, por dhe nga figurat kryesore të shtetit. Nëse Presidenti i Republikës del publikisht në mbështetje të tyre apo ruan për ta edhe ndonjë dekoratë në shenjë mirënjohje për përkushtimin, kjo vetëm do të rriste motivimin në punën e tyre të përditshme të vështirë e plot tension. Këta njerëz marrin trysni mbi vete (nuk është e lehtë të punosh që të presësh fijet e mafies), pikërisht që këtë presion të mos e ndjejnë sipërmarrësit, shtresa më pulsuese dhe prodhuese e vendit. Që këta të fundit të mos jetojnë me ankthin se mos në të dalë të shkollës dikush u rrëmben fëmijën për para. Që të mos i shohin rivalët e tyre si porositës të mundshëm të vrasësve me pagesë, në rast se suksesi i biznesit të tyre u shkakton rivalëve humbje të tregut dhe fitimeve. Prandaj dhe njoftimi i dhënë dje nga gazeta “Panorama”, se shumë shpejt shqiptarët do të njohin kush janë pas bombave të telekomanduara dhe pas rrëmbimeve (të tipit Koço Dado) që kanë ngjethur të madh e të vogël tek ne, është shenjë që shteti po funksionon, si rezultat i përkushtimit dhe ndershmërisë së disa funksionarëve profesionistë. Le t’i njohim dhe t’i urojmë mbarësi këtyre shërbëtorëve të shtetit, pse boll na morën mendtë politikanët me një protagonizëm shpeshherë gati tërësisht të pabukë.