SIDA,teste për të gjitha gratë shtatzëna
Parandalim për transmetimin vertikal të SIDËS në vendin tonë. Test për virusin HIV te të gjitha gratë shtatzëna. Kjo është nisma me e re e Ministrisë së Shëndetësisë, që do të nisë të zbatohet vitin që vjen. Shkak për të është bërë infektimi me virusin vdekjeprurës të 17 fëmijëve nga nënat e tyre. “Do të nisë testimin e grave shtatzëna, sepse, falë ndërhyrjeve që mund të bëhen me medikamente, bëhet i mundur parandalimi i transmetimit te fëmijët”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, një element tjetër i rëndësishëm, mjekimi në fazë të hershme të infeksionit. Në këtë mënyrë jo vetëm përmirësohen kushtet dhe jetesën e personit të infektuar, por dhe ndikon në parandalimin e transmetimit të infeksionit. Mjekimi me antiretrovirale sigurohet falas për të gjithë personat që kanë nevojë. Nga sa bën me dije Ministrja e Shëndetësisë, tashmë me mbështetjen financiare të Fondit Global, në të gjithë vendin janë ngritur 9 qendra të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar në rrethet kryesore të vendit. “Ajo që vihet re është rritja e numrit të personave që bëjnë vullnetarisht analizat e sëmundjes”, nënvizojnë specialistët. Sipas statistikave, nga 250 persona të testuar në vitin 2005, këtë vit ky numër pothuajse është dhjetëfishuar, duke arritur në 2184 ekzaminime.