Kontrolle në banesa dhe biznese për shkarkimet e ujërave të ndotura në Hamallaj

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Grupet e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës kanë vijuar kontrollet në terren në zonën e Hamallajt, në banesa dhe biznese, për të verifikuar mënyrën e shkarkimit të ujërave të ndotura.
Sipas njoftimit të SHRUKD, kontrollet kanë për qëllim verifikimin e lidhjeve të objekteve me rrjetin e kanalizimeve, si dhe funksionimin e gropave septike, me synim parandalimin e shkarkimit të ujërave të ndotura në kanalet e hapura dhe ndotjen e mjedisit.
Shoqëria u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk janë të lidhur me rrjetin e kanalizimeve të paraqiten pranë zyrave të SHRUKD për të bërë kërkesë për lidhjen me rrjetin.
Hamallaj është një zonë bregdetare në Qarkun Durrës, përgjatë detit Adriatik. Zona shtrihet pranë vijës bregdetare dhe karakterizohet nga prania e kanaleve kulluese dhe hidrovoreve, të cilat kanë rol në menaxhimin e ujërave të zonës.
Për shkak të afërsisë me detin dhe sistemit të kanaleve kulluese, në zonë monitorohen periodikisht shkarkimet e ujërave dhe gjendja e rrjetit të kanalizimeve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i banorëve dhe pushuesve rritet ndjeshëm.
1 nga 6/e.xh/r.e/a.f/