E Diel, 1 Nëntor 2026

ARRSH intensifikon punën për pastrimin e rrugëve: Hedhja e mbetjeve ndëshkohet me gjobë

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Në kulmin e sezonit turistik, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka intensifikuar punën për pastrimin e akseve rrugore, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të mos hedhin mbetje gjatë udhëtimit.

Sipas ARRSH-së, në disa segmente të rrjetit rrugor vijojnë të konstatohen mbetje të hedhura në karrexhatë dhe në anë të rrugëve, pavarësisht vendosjes së koshave dhe thirrjeve të vazhdueshme për mbajtjen e pastërtisë.

Ekipet e mirëmbajtjes janë çdo ditë në terren për pastrimin dhe sistemimin e zonave të ndotura, por autoriteti thekson se për mirëmbajtjen e një mjedisi të pastër nevojitet edhe ndërgjegjësimi i përdoruesve të rrugës.

ARRSH rikujton se hedhja e mbetjeve nga automjetet gjatë lëvizjes përbën shkelje dhe ndëshkohet me gjobë.

Autoriteti apelon veçanërisht gjatë sezonit veror për respektimin e mjedisit, duke theksuar se pastërtia e akseve rrugore është pjesë e imazhit të Shqipërisë për mijëra turistë dhe vizitorë që udhëtojnë në vend.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›