E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kontrolle policore në Pogradec me gjashtë të arrestuar, sekuestrohen armë, kokainë dhe shuma parash

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Një operacion i gjerë është zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Pogradecit ku janë kryer kontrolle intensive për goditjen e armëmbajtjes pa leje, lëndëve narkotike si dhe janë vënë në pranga gjashtë persona.

Në operacion u përfshinë 200 forca police, konkretisht nga RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme operacionale, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe Komisariati i Policisë Pogradec.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar armë zjarri, armë gjahu, armë të ftohta, lëndë narkotike kokainë, shuma parash e sende të tjera të kundërligjshme.

Policia njofton se në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë mbi lejimin e kontrollit, u ushtrua kontroll në banesat e 28 shtetasve, në automjete dhe ambiente të ndryshme të dyshuara se mund të strehoheshin personat e kërkuar.

Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve masive të kryera në të njëjtën kohë në të gjitha lagjet e qytetit Pogradec, u arrestuan në flagrancë shtetasit: F.B, 35 vjeç, lindur dhe banues Vërdovë Pogradec, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

“Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij i janë gjetur një shumë monetare prej 6 015 900 lek , 22520 euro, 3200 dinarë maqedonas 2675 dollarë amerikane të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria e tij kriminale. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar i janë gjetur në ambient magazine në banesën e tij qindra litra naftë e dyshuar kontrabande nga Maqedonia e Veriut dhe një automjet i markës Land Rover, vit prodhimi 2018”, njofton policia.

Po ashtu është arrestuar A.H., 34 vjeç, lindur dhe banues ne Pogradec për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armëve shpërthyese dhe municionit” “Prodhimi , mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij i janë gjetur 2 arme gjahu dhe një pistoletë pa leje përkatëse, një sasi municioni luftarak, 2 armë të ftohta të llojit thika flutur si dhe një shumë monetare prej 5 043 560 lek, 31 810 euro , 22 915 dollarë amerikane, 685 700 dinarë maqedonas, 2920 dollarë kanadeze, 1550 franga zvicerane, 800 dollarë australiane, 620 paund”, njofton policia.

Në pranga ka rënë edhe E.Ç., 41 vjeç lindur dhe banues në Pogradec, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

“Nga kontrolli i ushtruar ne banesën e tij i janë gjetur 3 armë të ftohta (thika) njëra prej tyre thike stilolaps si dhe fishekë model 56”, bën të ditur policia.

Policia ka arrestuar edhe D.Xh., 33 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, pasi nga kontrolli i ushtruar i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike e llojit (kokainë).

Në pranga ka rënë edhe A.B, 47 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale ” Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” , pasi nga kontrolli i ushtruar i është gjetur një armë e ftohtë (shufër hekuri me ngjyre të errët me doreze të gomuari të policisë)

Po ashtu është arrestuar edhe E. Xh., 33 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” pasi nga kontrolli i ushtruar në dy aparatet e tij celulare i janë gjetur llogari (accounte) në emrin për vendosjen e basteve sportive për shtetas të ndryshëm me qëllim përfitimi si dhe një shume monetare prej 200 000 lekë të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari.

Sipas policisë operacioni është në vijim.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›