E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli, abuzime në Prokurorinë e Laçit

Grupi i kontrollit në Prokurorinë
e Përgjithshme ka
gjetur shkelje të shumta në
Prokurorinë e Laçit, ndërsa
janë propozuar edhe masat e
para ndëshkimore. Me urdhër
të Kryeprokurores Ina Rama,
grupi i kontrollit ka verifikuar të
gjitha dosjet në akuzën e Laçit
për periudhën kohore 2007-
2008. Nga kontrolli ka rezultuar
se prokurori Tom Deda rezulton
me shumë dosje që kanë
marrë pafajësi dhe të pushuara
e pezulluara. Sipas burimeve
zyrtare nga akuza qendrore,
gjithçka është verifikuar me
hollësi dhe grupi i kontrollit
ka propozuar pranë Këshillit të
Prokurorisë masë disiplinore.
Por këshilli, që nga fillimi i
muajit qershor e deri në ditët
e fundit, nuk mund ta realizojë
mbledhjen, pasi prokurori në
fjalë nuk pranon të paraqitet.
Sipas burimeve, prokurori Tom
Deda fillimisht ka refuzuar,
megjithëse në adresë të tij ka
shkuar një njoftim. Mësohet
se ditët e fundit prokurori nuk
preferon të marrë as fletë-thirrjet
e dërguara nga Prokuroria
e Përgjithshme. Sipas kësaj të
fundit, nga verifikimet e kryera
ka rezultuar se Deda ka mbyllur
telefonin, si dhe nuk pranon të
komunikojë me asnjë nga drejtuesit
e tij në Laç dhe Tiranë.
Në drejtim të banesës së Dedës
janë dërguar edhe oficerë të
policisë gjyqësore. Nga verifikimet
ka rezultuar se prokurori
nuk gjendet prej kohësh aty.
Familjarët e tij thonë se "është
zhdukur". Këshilli i Prokurorisë,
sipas burimeve zyrtare nga
Prokuroria e Përgjithshme,
kërkon që prokurori i Laçit të
marrë pjesë në mbledhje dhe
të japë versionin e tij mbrojtës.
Mbledhja radhës e këshillit
është shtyrë për në datën 17
korrik, ora 10:00. Nëse edhe
në këtë mbledhje prokurori
nuk paraqitet, ai do të gjykohet
në mungesë. Ndërkohë, në
takimin e fundit të Këshillit
të Prokurorisë, me shumicë
votash është emëruar për një vit
kryetari i ri i këshillit, i cili është
prokurori Besnik Cani, aktualisht
me detyrë në njësinë Antikorrupsion
në Prokurorinë e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›