E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama informon Glover për kontestimet në zgjedhje

Kryesuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri, Audrey Glover, u njoh dje nga afër me pretendimet e Partisë Socialiste në raport me procesin. Glover ka mbërritur në ambientet e selisë rozë në orët e paradites ku zhvilloi një bashkëbisedim me kreun e opozitës, Edi Rama, sekretaren socialiste për marrëdhëniet ndërkombëtare, Arta Dade, dhe përfaqësues të tjerë socialistë. Burimet partiake sqarojnë se midis personaliteteve të pranishme është marrë në analizë i gjithë procesi elektoral që nga momenti i votimit deri tek numërimi i votave. Drejtuesit e Partisë Socialiste kanë ngritur shqetësimin e tyre për deformimin e rezultatin elektoral. Mësohet se selia rozë i ka vënë në dispozicion vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it të gjitha informacionet që disponon në atë çka cilësohet "dosje" e shkeljeve në procesin zgjedhor. Glover mësohet se ka dëgjuar relatorët socialistë, duke mbledhur informacionet e nevojshme për raportin final të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet, në mënyrë të ndjeshme, nga ecuria e fazave të fundit të procesit zgjedhor, në mënyrë të veçantë nga numërimi i votave, mbledhja e rezultateve, si edhe nga puna për ankesat e mundshme pas ditës së zgjedhjeve. Pothuajse tetë javë pas mbylljes së procesit, OSBE/ODIHR do të nxjerrë një raport të plotë përfundimtar, ku do të përfshihen edhe rekomandime për përmirësime të mundshme. Një tjetër raport i rëndësishëm për zgjedhjet do të lëshohet nga delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në seancën parlamentare të Asamblesë në muajt shtator-tetor të vitit 2009. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it u hap në Tiranë, më 8 maj me 12 ekspertë në kryeqytet dhe 26 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin shqiptar. Asambleja Parlamentare e OSBE-së zhvilloi vizita parazgjedhore më 15 maj dhe 8-9 qershor 2009, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës zhvilloi një vizitë parazgjedhore më 4-5 qershor 2009. Ditën e zgjedhjeve 395 vëzhgues u organizuan nga një Mision Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, ku përfshihej një delegacion me 36 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, një delegacion me 22 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe një delegacion me 5 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Vëzhguesit vinin nga 38 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, ndërsa misioni vëzhgoi votimin në mbi 1375 qendra votimi nga 4753 gjithsej dhe numërimin në të 66 vendet e numërimit të votave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›