Rama: Jam i vendosur të vazhdoj betejën
Partia Socialiste nuk do ta lejojë çiftin e ri të politikës së vjetër Meta-Berisha të vjedhë mandatin e nëntë në Fier. Kjo deklaratë u bë sërish dje nga kryetari i PS-së, Edi Rama, në një konferencë për shtyp. Me shenjat e pakënaqësisë që i lexoheshin qartë në fytyrë, kreu socialist Rama theksoi se "pa u hapur ende retë e zeza të 28 qershorit mbi Fierin, Beratin, Shkodrën, Tiranën e gjetkë, Sali Berisha dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë publike marrëdhënien e tyre për ta vënë popullin opozitar përballë faktit të kryer dhe për ta shkurajuar PS-në në rrugën e kërkimit të mandatit të nëntë në Fier, të mandatit të pestë në Berat, e me radhë deri në zbardhjen e plotë të këtij procesi pa standarde". Rama theksoi se qeveria e quajtur për integrimin europian të Shqipërisë po del në fakt se është qeveri e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore. Kreu socialist tha para mediave se "Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore". Sipas tij kjo dyshe është shëmbëlltyra vetëdemaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve, si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit dhe interesave të zgjedhësve shqiptarë. Duke vijuar më tej me deklaratën e tij kundër Metës dhe Berishës, numri një i selisë rozë nënvizoi faktin se "Sali Berisha dhe Ilir Meta janë sot dy fytyrat e së njëjtës gënjeshtër, e të njëjtit mllef, e të njëjtave interesa politike e ekonomike, tërësisht personale e klanore, që me shpifje të ulëta, diversione të neveritshme, përpjekje të dëshpëruara, po mundohen të vrasin me një gur dy zogj, të legjitimojnë zgjedhjet e grabitura dhe të demoralizojnë e nënshtrojnë PS-në". Duke deklaruar se sulmi që Meta dhe Berisha po i bëjnë PS-së është një orvatje e kotë pasi nuk do të mund ta dobësojnë vullnetin e shqiptarëve, Rama tha se i përbuz këto shpifje e diversionet e të dyve bashkë. Ai i ka siguruar si Metën ashtu edhe Berishën se PS-ja është më e fortë se asnjëherë dhe se sulmet e tyre primitive, vetëm sa i forcojnë bindjen për të vijuar një betejë të cilën, tha Rama nuk kam ndërmend ta lë përgjysmë e as do ta fitojnë duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë. Me një ton të ashpër, Rama i ka kërkuar Berishës dhe Metës të mos prekin mandatin e nëntë të socialistëve në Fier, sepse do të përballen, jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. "Nuk e lëshojmë mandatin e nëntë të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fund e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye", u shpreh Rama. "Ne nuk jemi Sali Berisha apo Ilir Meta, që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forca e parë politike në vend, që sot kemi detyrë të pashmangshme, mbrojtjen me çdo kusht të lirisë e të demokracisë në vend, mbrojtjen me çdo çmim të interesave të vendit e të popullit, të dhunuar në vullnetin e tij sovran, mbrojtjen me çdo mjet të së drejtës e të dinjitetit të çdo zgjedhësi që ka votuar më 28 qershor, për t‘u ndarë nga e shkuara", tha Rama. Sepse vërtet koha është e maskarenjve, vijoi ai, por Shqipëria është e shqiptarëve.