Kontrolli ne tregjet e kryeqytetit
Task - forca e Bashkisë së Tiranës ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme monitorimin e tregjeve. Pavarësisht një fluksi të madh blerësish, nuk është shënuar rritje abuzive e çmimeve, madje disa produkte të shportës kanë shënuar rënie. Ky fund- vit ka shënuar çmime shumë më të ulëta në Tiranë, se sa në qytete të tjera të vendit, madje sipas drejtorit të AMK-së Geron Ibrahimi, risi në këtë vit kanë qenë blerësit nga Durrësi, Elbasani dhe qytete të tjera, ku çmimet kanë qenë 2 herë më të larta se në Tiranë.
”Edhe në ditën e fundit të vitit, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, së bashku me të gjithë inspektorët e Bashkisë së Tiranës është në terren, për të finalizuar planin e veprimit një mujor që kemi ndërmarrë. Me kënaqësi themi se Bashkia ia doli për herë të dytë, për të dytin vit radhazi, të mbajë nën kontroll çmimet, madje të shmangë edhe skemat abuzive, që ishin një traditë 12-vjeçare në Bashkinë e Tiranës.
Një dukuri e re ishte edhe ulja e disa produkteve të konsumit, si vaji, sheqeri apo mielli dhe kjo patjetër që e bën festën më të ngrohtë në tryezat e shqiptarëve. Nga ana tjetër, ajo që hasëm si risi sivjet në tregjet tona ishin edhe blerjet e qytetarëve nga qytete të tjera, si Elbasani apo Durrësi, ku çmimet janë dy apo trefishuar.
Me kënaqësi e mbyllim këtë vit, duke u uruar të gjithë qytetarëve të Tiranës, festa të mbara, zemrat plot dhe shëndet në familjet e tyre!” - u shpreh z. Ibrahimi.