E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana në festë, atmosferë e ndezur për mbërritjen e vitit të ri 2013

Tiranë- Kryeqyteti ka nisur festimet në orët e para të mëngjesit për të pritur kështu natën e ndërrimit të viteve.

Rrugët dhe sheshet kryesore janë zbukuruar me drita të shumta shumëngjyrëshe, ndërsa grupe të ndryshme muzikore mbajnë koncerte për të kënaqur qytetarët dhe vizitorët e shumtë.

Ansambli Kulturor Tirana zhvilloi sot një koncert me këngë e valle popullore në qendër të qytetit, duke tërhequr kureshtjen e qindra vizitorëve të rinj e të vegjël, që shëtitin në atmosferën festive të kryeqytetit. Në Muzeun Historik ende shumë qytetarë dhe turistë nga vende të ndryshme vizitojnë armët dhe përkrenaren e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbej, ndërsa në sheshin pranë tij me të njëtin emër qindra fëmijë e të rritur ndjekin koncertet festive me muzikë folklorike.

Për momentet e ndërrimit të viteve Bashkia e Tiranës ka menduar për ata që dëshirojnë ta presin jashtë ndërrimin e viteve, një atmosferë të ngrohtë nën ritmet e muzikës që do të performojnë DJ të njohur, festë që do të nisë rreth orës 23:45 e do të ndiqet me një spektakël fishekzjarresh pas orës 00:00.

Tirana është sivjet një nga qytetet më të mbipopulluara për shkak të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Dhjetëra mijëra njerëz nga Shqipëria, Kosova dhe emigracioni morën pjesë në festimet e këtij 100 vjetori.

Edhe emigrantët që jetojnë e punojnë jashtë vendit kanë vendosur që edhe këtë vit ta festojnë pranë familjarëve të tyre. Mijëra qytetarë dhe qindra automjete kanë hyrë dje nga të gjitha pikat kufitare të vendit.

/IDEA/

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›