Kontrolli teknik i mjeteve/ Gonxhja: Qytetarët do marrin shërbimin në kushte më të mira
Shërbimi i kontrollit teknik të mjeteve rrugore tashmë do të kryhet nga shteti.
Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja deklaroi se qytetarët do të marrin shërbimin në kushte më të mira.
“Me kthimin e shërbimit të kontrollit teknik nën administrimin dhe kujdesin e DPSHTRR, po punojmë për t’u bërë gati për rihapjen e këtij shërbimi në çdo qendër e drejtori rajonale në kushte më të mira për qytetarët të cilët do të frekuentojnë këto qendra për kolaudimin e mjeteve rrugore”, deklaroi ai.
Të gjitha mjetet, zotëruesit e të cilëve nuk patën mundësi të kryenin kontrollin teknik në dhjetor 2020 për shkak të fluksit të madh në pikat e SGS dhe në këtë moment zotërojnë një certifikatë me afat vlefshmërie të skaduar, nuk do të penalizohen me masë administrative, por afati i vlefshmërisë së certifikatës do të shtyhet me 3 muaj, në zbatim të Aktit Normativ të datës 23 dhjetor 2020.
DPSHTRR njoftoi se taksat vjetore të mjeteve duhet të paguhen rregullisht në afatet ekzistuese, pranë drejtorive rajonale e nën zyrave të DPSHTRR ose përmes e-Albania online.
Platforma e re e rezervimit të orarit/datës së kontrollit teknik (kolaudimi) do bëhet aktive sapo të përcaktohet data e rihapjes së këtij shërbimi nga DPSHTRR./Atsh/