Nafta e lirë, fermerët hezitojnë
Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të paguajë nga buxheti i vet i vitit 2021, rreth 1 miliardë lekë, me synim mbështetjen e fermerëve shqiptarë nëpërmjet subvencionimit të çmimit të naftës.
Nga çmimi mesatar vjetor i naftës zbriten:
1. Akciza 37 lekë/litër
2. Taksa e qarkullimit 27 lekë/litër
3. Taksa e karbonit 3 lekë/litër
Në total 67 lekë/litër
TVSH respektive (20 %) 13,4 lekë
TOTAL 80.4 lekë
Shpërndarja e naftës bëhet vetëm për fermerin e regjistruar me NIPT, në bazë të sipërfaqes të deklaruar. Nëpërmjet platformës online, fermeri i pajisur me NIPT duhet të bëjë deklarimin e sipërfaqes së tokës, për të llogaritur naftën që i nevojitet.
Subjektet përfitues duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Fermerët individual duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv;
b) Të kenë tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës
c) Madhësia totale e fermës duhet të jetë me sipërfaqe jo më pak se 0.4 Ha, ndërsa madhësia e parcelave me sipërfaqe jo më pak se 0.1 Ha;
Përfitimi i sasisë së naftës falas, është:
d) 100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri ne 10 Ha;
e) Subjektet me sipërfaqe mbi 10 Ha, përfitojnë sasinë e naftës me normativë të reduktuar.
Qeveria ka llogaritur se në total nga skema e re pritet të përfitojnë 70 mijë fermerë. Subvencioni pritet ta bëjë më konkurrues fermerin shqiptar dhe produktet e fshatit, duke sjellë uljen e çmimeve të këtyre produkteve.